Aggro në sherr me Feron, rrëfehet për takimin e përfolur në Norvegji me modelen: Kush ka dashur ka ardhur vetë!

Një telenovelë e re në botën e showbiz-it sapo ka nisur, duke ndezur një konflikt të ri me protagonistë reperin Aggro, Feron dhe të dashurën e tij, modelen Arbenita Ismajlin. Këngëtari më i ri në tregun e muzikës hip-hop, Aggro, ka publikuar këngën e tij të fundit “Mon Bebe”, një diss për Feron dhe labelin muzikor, që, sipas tij, i kanë kopjuar këngën.

Ai nuk e përmend në tekst emrin e Feros, por i referohet këngës së tij “Gang Gang” ndërsa e quan “g*y-gang”, madje, në mënyrë metaforike tregon se si i marrin peng të dashurën. Por, për fansat, sherri ka një prapaskenë tjetër, pasi, sipas fjalëve që kanë qarkulluar në internet, bëhet fjalë për një histori sekrete mes Aggros dhe Arbenitës.

Direkt pas këtyre thashethemeve, Fero dha lajmin se sapo ishte ndarë nga Arbenita dhe tashmë është single. Edhe pse Arbenita doli e përgënjeshtroi ndarjen, gjatë ditës së djeshme, duke sqaruar se ishte një lojë që ata si çift u bënë fansave, reperi Aggro për “Panorama Plus” zbulon për herë të parë të vërtetën e këtij trekëndëshi:

Jeni një reper i ri që pretendoni se Fero ju ka kopjuar klipin “Mon Bebe”. Ku i shikoni ngjashmëritë dhe mund të zbuloni nëse kënga juaj është dedikim për dikë?

Nuk jam analist i videoklipeve, nuk merrem me këtë sport. Ama, kushdo që klikon në “Youtube” mund të shohë kopjimin.

Mediat kanë shkruar për një sherr mes teje dhe Feros. Njiheni personalisht dhe ç’mund të zbuloni më shumë rreth tensionit mes jush?

Jo, nuk e njoh. Baba më ka thënë që shokët duhen më të mirë se vetja. Tension kanë njerëzit hormonalë, unë jam duke bërë atë që dua të bëj.

Në këngën tuaj përmendet dhe e dashura e tij Arbenita, ku thoni, ndër të tjera, se është marrë peng. Po i hidhni benzinë zjarrit kështu dhe çfarë mund të rrëfeni më shumë për këtë histori?

Nuk është e vërtetë pengmarrja. Është metaforë. Falë Zotit, nuk kam pasur nevojë të kap asnjë femër me zor! Kush ka dashur, ka ardhur vetë!

U fol po ashtu për një takim që ke bërë ti në Londër me Arbenitën. Bëhet fjalë për një tradhti, apo për një marrëdhënie para se ajo të lidhej me Feron?

Me sa di unë, nuk kam qenë në Londër kurrë, por në Norvegji. Ama e lirë është bileta. Pastaj, mos harro, unë jam xhentelman! Mundet me ndodh, po ashtu më kanë ngatërruar me binjakun tim. (Qesh)

Dje, media shkruante se Fero deklaroi ndarjen, duke thënë se tashmë është single. Mendon se ke ndikuar ti me këngën e publikuar që të prishej marrëdhënia e tyre?

Çfarë s’ndodh! Por unë shoh jetën time dhe nuk mund ta komentoj. As më vjen mirë e as keq.

Strategjia jote për të depërtuar në tregun shqiptar të reperave?

Duke dalluar nga të tjerët. Me qenë i ndershëm me publikun e duke prodhuar muzikën si ilaç për veshët.

Makina të shtrenjta, drogat dhe femra janë zakonisht stili i jetës së reperave, e njëjtë me klipet e tyre. Është kjo jeta jote?

Po, edhe jo. Unë djalë i ri jam. Ama, çfarë bëj e çfarë i them publikut janë dy gjëra të ndryshme.

Nëse do të zgjidhje për të dashur një nga reperet e njohura, me cilën do e provoje?

Tayna-n, i ka disa pajisje mjaft të forta.

Disa karakteristika që ke për të fituar titullin “djali i rrugës”?

Jam shqiptar. Jetoj vetëm në Norvegji. Ia kam dalë. Kaq mjafton, s’ka nevojë të shkaktojmë dëme te njerëzit e tjerë për t’u quajtur “djalë rruge”.

Për ty kush është Mbreti i rap-it shqiptar?

Mbreti i rap-it shqiptar, loading… Dhe unë jam për “Game of thrones” dhe loja është e hapur.