Bledi Strakosha i vetëm në shtëpi, shikoni si e ka mobiluar

Moderatori i njohur prej vitesh Bledi Strakosha hapi dyert e shtëpisë së tij për kamerën e “Pasdite në Top Channel”, kur rrëfeu jetën si djali i vetëm në shtëpinë e tij, që kur u shkëput nga familja para dhjetë vitesh. Ai ka hapur dyert e shtëpisë për publikun, dhe prezantimin e nis nga korridori, aty ku janë gërshetat e prera të së ëmës. Më tej Bledi tregon një kënd me foto të mëdha në korzinë, nga vitet e tij të adoleshencës, në kohën kur ëndërronte të bëhej model. Aty ndodhet edhe biçikleta, të cilën ai e përdor për qejf, pavarësisht se përdor makinën për të lëvizur. Kur hyn në sallon, nuk sheh thuajse asnjë hapësirë boshe. Ka një bibliotekë, me libra të lexuar ose jo, me suvenirë të grumbulluar nga pothuaj të gjithë vendet ku ka shëtitur, por edhe shumë kryqe. Siç tregon moderatori, ai beson shumë, nuk frekuenton ndonjë objekt kulti, por është supersticioz dhe në shtëpi mban shumë kryqe për të qenë “i mbrojtur” nga të këqijat që mund t’i kanosen. Pyetjes se pse ka zgjedhur ta ketë kaq të ngarkuar shtëpinë, Bledi përgjigjet thjesht: “E doja të ngarkuar që të mos ndihesha vetëm, më pëlqen ky lloj stili, por ndoshta do të mendoj edhe për ta rimodeluar”.