Blerta Leka: Si humba në mal në lartësinë 620 metra

Blerta Leka është 18 vjeçarja nga Tirana, e cila u përzgjodh mes shumë vajzave të tjera për të përfaqësuar Shqipërinë në 26 nëntor në finalen e “Miss Universe“, që organizohet në Washington. Gara e vajzave nga e gjithë bota do të transmetohet nga televizioni “Fox News”, ndërkohë që përfaqësueset e secilit shtet do të prezantohen me spotin promovues e vendit nga vijnë. Ndërkohë Blerta Leka është prezantuar tashmë pasi u shfaq në videon prezantuese me tematikën “Pa kufij”, të xhiruar në Bovillë. “Rrezikova jetën pasi më duhej të ngjitesha në malin 620 metra lartësi të Bovillës, për xhirimet e pamjeve që promovojnë Shqipërinë. Ngjitëm një mal super të lartë ku dhe burrat dridheshin, pra kemi rrezikuar jetën”, tregoi Blerta për këtë aventurë të çmendur, ku shoqërohej nga producenti i “Miss Universe”, Eduart Deda dhe stafi. Duke folur më tej për parapërgatitjet për spotin që promovon Shqipërinë, Blerta tregon për revistën “Story”. “Që ditën e parë humbëm në mal pra ngatërruam rrugën, e për të mos folur për emocionet e qëndrimit në 620 metra lartësi”, tha ajo. Ndërkohë që këtë eksperiencë të frikshme e ka hedhur pas krahëve, Blerta po përgatitet të shkelqejë në skenën botërore. Ajo sapo ka realizuar setin e fotove të reja, ku bën përshtypje me linjat e saj në të gjitha setet fotografike, disa prej të cilave të realizuara me Armand Sallabandën. Blerta do të përfaqësojë Shqipërinë në SHBA, pasi u shpall fituese e “Miss Univers Albania 2017”.

Sekretet e 18 vjeçares me kurorë miss-i
Në një rrëfim për revistën “Story”, fituesja e “Miss Universe” Blerta Leka rrëfeu sekretet e një 18 vjeçareje me kurorë miss-i në kokë. “U shpalla “Miss Universe Albania” dhe uroj që ky titull të më vlejë për shumë gjëra në jetë. Para kurorës isha Blerta Leka, ndërsa pas kurorës jam Blerta Leka, “Miss Universe Albania 2017”, vit që do të jetë i imi” tha ajo në lidhje me çmimin. “Duhet thënë një e vërtetë se unë nuk jam bionde natyrale”, tregoi ajo duke qeshur në lidhje me ngjyrën origjinale të flokëve. Po ëndrrat e saj cilat janë? “Është ende herët për të folur për ëndrrat. Sigurisht që janë të shumta dhe të mëdha. Si fillim pres të kthehem nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dhe do të përfaqesoj vendin tim në mënyrën më të mirë dhe të denjë, e më pas të shoh dhe ofertat që do t’më vijnë duke qenë se “Miss Universe” ka një audiencë shumë të gjerë. Pra për momentin shkuarja në SHBA dhe përfaqësimi i vendit tim atje është një ëndërr më vete. Unë do të bëj maksimumin brenda mundësive që kam, që këtë titull ta përdor për qëllimet e mia”. Po nga kush e ka trashëguar bukurinë? “Pamjen fizike e kam trashëguar nga im atë. Sigurisht jam e ndërthurur edhe nga ime më përsa i përket mimikave të fytyrës ose lëvizjet e ndryshme instiktive”, citohet të jetë shprehur ajo për “Story”.