Ditë e dhimbshme për familjen e Eugent Bushpepës, aksidenti i merr jetën babait të artistit

Babai i këngëtarit të njohur, Eugent Bushpepa është ndarë nga jeta ditën e djeshme pas një aksidenti të rëndë në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga publicisti, Gjergj Marku, i cili me anë të një postimi në profilin e tij në ‘Facebook’ ka dhënë lajmin e hidhur.

Gjon Bushpepa ka pësuar aksident dhe ka humbur jetën pasi qëndroi në koma për disa ditë me radhë.

“SOT, për të ngushëlluar artistin Gent BUSHPEPA dhe familjaret për ndarjen nga jeta të babait të tij!… (Babai i këngëtarit të njohur mirditas është ndarë sot nga jeta pas një aksidenti të rëndë në Tiranë, ku dhe qëndronte në koma prej ditësh. Gjon Bushpepa ka qenë drejtues në disa sektorë në Mirditë dhe jo vetëm. Prej vitesh jetonte familjarisht në Tiranë. Ceremonia mortore në Rrëshen. Ngushëllime të thella familjes për këtë humbje të parakohshme”,-shkruhet në statusin e Gjergj Markut.

Në këtë ditë të trishtë për artistin e njohur dhe familjarët e tij, nuk kanë munguar ngushëllimet nga kolegët dhe njerëz të njohur të medias./Who