El Çapo në burg, djemtë vazhdojnë të mbajnë në këmbë perandorinë e babait

Edhe pse El Çapo vazhdon të jetë në burg e të paraqitet nëpër gjykatat e Nju Jorkut, karteli miliarda-dollarësh që ka themeluar duket se vazhdon të lulëzojë nën drejtimin e dy djemve.

Kjo është vënë në dukje nga prokurorët e çështjes, me qëllimin për të kërkuar mbrojtje më të fortë ndaj dëshmitarëve. Sipas tyre, karteli e ka ende aftësinë dhe vullnetin për t’i lënduar dëshmitarët.

“Nuk ka dyshim që i pandehuri dhe karteli i tij e kanë ende aftësinë, burimet dhe dëshirën për të lënduar personat që bashkëpunojnë, si dhe familjet e tyre”, thotë komunikimi zyrtar.

Djemtë e tij janë Ivan Arçivaldo Guzman Salazar dhe Hezus Alfredo Guzman Salazar. Prokurorët shtuan se janë mjaft të dhunshëm e që kanë organizuar pusì kundër ushtarakëve të lartë në Meksikë, ndaj, dëshmitarët në SHBA nuk mund të jenë të sigurt.

Ndërkohë që babai i tyre i fshihej policisë dhe dilte për gjykim, ata nuk kanë ngurruar të mburren me pasuritë në rrjetet sociale. “Ky është problemi im çdo mëngjes”, thotë njëri prej djemve, për të treguar se s’di ç’makinë të zgjedhë./Top Channel