Elvana Gjata në arrati, motra e saj koncert në Pallatin e Brigadave

Dje mediat dhanë lajmin se policia ka shpallur në kërkim edhe këngëtaren Elvana Gjata, përvec të dashurin e saj Ervin Mata. Urdhri doli pas ngjarjes së javës së shkuar në një prej lokaleve të zonës së ish-Bllokut, ku si pasojë e një sherri mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë. Urdhri për ta shpallur në kërkim këngëtaren vjen si pasojë e përfshirjes së saj në këtë ngjarje si arsyeja e këtij konflikti mes dy grupeve, ku u bë pjesë edhe i dashuri Mata. Pas shumë tentativash për t’i marrë dëshminë këngëtares, grupit hetimor duket se nuk ia kanë dalë dot, bën me dije “Abc News”, duke qenë se ajo u largua nga Shqipëria. Gjatë emisionit “Opinion” në “Tv Kan” moderatori Blendi Fevziu tregoi se Elvana ishte larguar jashtë vendit para se të ndodhte ngjarja, pikërisht në Gjermani ku kishte një koncert. Dihet që prej vitesh në atë vend jeton motra e saj më e madhe Migena, e cila është këngëtare e muzikës operistike. E ndërkohë që motra e saj e njohur është në kërkim, Migena do të mbajë një koncert në Pallatin e Brigadave në Tiranë. Sopranoja rikthehet pas një viti në kryeqytet, pas koncertit të një viti më parë në Universitetin e Arteve, koncert i mbajtur në kuadër të tetorit gjerman.