Eugent Bushpepa rrëfehet pas Eurovizionit: Mamaja ime është infermiere, unë zgjodha profesionin e stomatologut

Këngëtari i njohur Eugent Bushpepa pas eksperincës në Festivalin Europian që u mbajt në Lisbonë, ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion” ku ndau me publikun momentet më mbreslënëse të asaj skene. Eugenti rrëfeu ndër të tjera se edhe pse ka 28 vite në skenë dhe muzika është shpirti i tij, por në të ardhmen ai dëshiron që të ushtrojë profesionin për të cilin po studion prej vitesh. “Me muzikën merrem full time, por një pjesë të madhe ma merr studimi. Nuk kam mbaruar akoma studimet për stomatologji duke qenë se kam qenë më i angazhuar me anën artistike. Është pak e çuditshme por kam qenë gjithmonë një person që ka lidhje me mjekësinë në përgjithësi. Doja të isha mjek. Mamaja ime ka qenë infermiere, djali i xhaxhait tim është një kirurg shumë i mirë”, u shpreh Eugenti gjatë intervistës me Blendi Fevziun. Këngëtari, i cili po përgatitet të publikojë albumin me këngë të krijuara nga ai vetë, zbuloi për herë të parë se në moshën 18-vjeçare ai kishte nisur studimet për mjekësi në Itali, por pamundësitë ekonomike e kishin detyruar që ta braktiste shkollën. “Unë në moshën 18-vjeçare u largova nga Shqipëria për të studiuar mjekësi në Bolonjë, në Itali. Në pamundësi për ta përfunduar për shkak të disbalancës ekonomike që kanë dy vendet m’u desh që të punoja. U riktheva në Shqipëri pas katër vitesh për të dhënë një provim. Një vit e gjysmë studiova mjekësi në Itali. E dhashë dhe njëherë provimin në 2005-n në Shqipëri dhe fitova mjekësinë. Zgjodha rrugën më të shkurtër që të bëja stomatologji, sepse më hante më pak kohë dhe s’e kam mbaruar ende”, tha Eugenti ndër të tjera. E kur të përfundojë studimet Eugenti dëshiron që të praktikojë profesionin e tij, por pa lënë pas dore muzikën. “Dua të punoj në profesionin tim. Unë artin s’do ta lë asnjëherë. Unë merrem dhe me pikturë, jam shumë i dhënë pas artit. Kohën e lirë tentoj ta kaloj me pikturë. Artin do ta mbaj sepse është shpirti im”, rrëfeu Eugenti gjatë kësaj interviste. Ai nuk la pa përmendur partneren e tij, duke thënë se këngën “Mall” dhe suksesin e tij ia dedikon edhe Andias, që e konsideron gjysmën e tij më të mirë.