Gjon Karrica: Nga bashkëpunimi me Flor Mumajesin te takimet me Tina Turner, jeta ime jashtë klipeve me pullë të kuqe

I identifikuar si “lugati” i muzikës shqiptare që i kalon netët zgjuar, Gjon Karrica po përgatitet të sjellë këngën “Sex Toy 2”, duke e kthyer në serial klipesh me pullë të kuqe projektin e tij të guximshëm. Artisti kontravers që jeton në Zvicër, përtej jetës plot shkëlqim në muzikë në këtë intervistë për “Panorama Plus” rrëfen rolin e babait dhe betejën me sëmundjen. Në lidhje me përfshirjen e tij në tregun e muzikës ai zbulon detaje nga bashkëpunimi i supozuar me Flori Mumajesin dhe takimet e shpeshta në Zvicër me Tina Turner.

Pas “Sex Toy 1” u riktheve me një tjetër provokim me këngën “K..va”. Si lindi kjo këngë dhe nga çfarë u inspirove?
Inspirimi ka ardhur nga shoqëria jonë, nga rrethi, nga rastet që kam dëgjuar, e që nuk kanë qenë të pakta. Pra, ka realitet në tekstin e kësaj kënge. Teksti u shkrua në vitin 2001 dhe projekti u realizua vetëm pak kohë më parë. Kam menduar gjatë për çdo detaj, kam dashur që të përçohet shumë mirë, por edhe shumë drejtpërdrejt mesazhi. Nga titulli, kënga mund të duket provokuese, por fabula na çon në diçka të dhimbshme.

Gjon-Karrica-3

Kishe në mendje një emër konkret që ia ke dedikuar këtë këngë?
Disa miq kanë pasur raste të tilla. Pra, teksti trajton një ngjarje të vërtetë, sigurisht me një dozë arti bashkangjitur.

Shquhesh për këngë të guximshme, si është pritur kjo këngë dhe të tjerat nga publiku?
Arti, muzika dhe gjithçka këtu po kalon nëpër një kaos. S’po dihet çfarë është mirë dhe çfarë është keq. Është përzier gjithçka. Megjithatë, unë e kam linjën time, të cilën e ndjek dhe i qëndroj besnik. Kjo këngë dhe të tjerat janë pëlqyer dhe komentuar mjaft. Më shkruajnë kaq shumë njerëz, kështu mendoj se suksesi po e bën të vetën.

Në “Instagram” u je përgjigjur disa pyetjeve, ku dikush të thoshte se të kishte parë në club me kantautorin, Flori Mumajesi. Nisur nga përgjigjja se nuk mund të bashkëpunosh me të për faktin se s’di të këndosh spanjisht, si qëndron e vërteta?
Ishte metaforë. Nuk ka asgjë në këtë drejtim. Siç kam thënë, e pëlqej atë çfarë bën Flori dhe ekipi i tij.

Në muzikë njihesh si “Lugati”. Të jep vetëkënaqësi fakti që imazhi yt mund të shkaktojë frikë te të tjerët?
Unë rrija shumë natën dhe kisha gjithë energjinë e botës, andaj producentët më thërrisnin “Lugat”. Kjo pak a shumë është historia, që mediat e kanë trajtuar shpesh me një dozë misticizmi.

Gjon-Karrica-2

Cila është marrëdhënia që ruan me Jessy Hennessy, me të cilën realizove klipin me pullë të kuqe “Sex Toy”? Është e vështirë ta kthesh një histori dashurie në miqësi?
Jessy është çështje e mbyllur tashmë. Çdo herë e më shumë jeta po na ndan nga njëri-tjetri.

Skenat e seksit në muzikë janë ato që të identifikojnë ty si artist. Si reagojnë familjarët kur shohin klipet e tua hot?
Familjarët e mi më njohin që nga fëmijëria dhe e dinë kush e si jam. Disave u pëlqejnë e disave jo, siç ndodh kudo.

Dimë që jeton në Zvicër. Ke tentuar ndonjëherë të takohesh me Tina Turner, e cila jeton në të njëjtin qytet?
Jo, nuk kam menduar për ndonjë bashkëpunim, pasi stilet tona nuk përputhen. E kam takuar disa herë Tina Turner, pasi një shoqe e imja është vajza e mikeshës së saj të ngushtë.

Gjon-Karrica-1

Së fundi është folur se ke pasur probleme shëndetësore. I ke kapërcyer tashmë?
Për një periudhë kohore nuk jam ndjerë mirë me shëndet. Është folur kaq shumë për këtë çështje dhe sot preferoj ta lë si pjesë të së kaluarës, edhe pse unë ende po përpiqem të rikuperohem. Nuk dua të ndalem më tepër në këtë pikë, që nuk më jep ndjesi të mirë.

Ndërkohë, je baba tashmë. Si është jeta jote si prind, si e menaxhon kohën mes karrierës dhe prindërimit?
Fëmija është frymëzim dhe kënaqësi. Është gjëja më e mirë që më ka ndodhur në jetë.

Në fund të fundit të gjithë bëjmë disa llogari. Krahasuar me fitimet, ia vlen të shpenzosh para për të bërë muzikë?
Nuk e mendoj shumë këtë aspekt. Unë kam arritur këtu ku jam falë mbështetjes së pakursyer të atyre që e pëlqejnë atë që bëj, por edhe të medias që gjithmonë ka shfaqur interesim për mua dhe identitetin tim artistik./Panorama Plus