Hamdi Salihi: Ika nga Shqipëria për t’iu bashkuar familjes

Një futbollist unik, “snajper” në 16 metrat e fundit, thuajse i pagabueshëm, “bomberi” nga ata që ditët e sotme janë si “uji i paktë”. Hamdi Salihi është një emër që pa e kuptuar “të stampon” një buzëqeshje në fytyrë, sespe në memorie të vijnë golat me “roveshatë”. Vërtet spektakolar, por për fat të keq ky mund të jetë viti i fundit që do të admirojmë “kryeveprat” e supertalentit shkodran.
34-vjeçari pranoi për “Zona Gol” se ka shumë mundësi që ky të jetë “kërcimi i fundit” i karrierës së tij “Në ditët e sotme, duhet të kesh një motiv shumë të madh që të stërvitesh fort e të japësh 100% në çdo stërvitje. Duhet menduar dhe mbyllja e karrierës. Tek klubi ku po luaj mendoj se kam më shumë mundësi për të vazhduar jetën pas futbollit të luajtur. Ky besoj se do të jetë viti i fundit që do të luaj. Në disa raste kam qenë dhe pjesë e stafit, edhe pse jo zyrtarisht. Që nga janari, mund të jem zyrtarisht pjesë e stafit. Nëse do të jemi lart në klasifikim, do të përqëndrohem tek pjesa e lojtarit, në të kundërt do të bëhem pjesë e stafit.”

Hamdi-Salihi-1

Salihi pak më shumë se një vit më parë vendosi përfundimisht të braktisë futbollin shqiptar për t’u transferuar tek një tjetër qytet ku ndihet në shtëpi, në Vjenë, familja ishte aryseja kryesore.
“Të them të drejtën, pas periudhës që kalova në Shqipëri, e kisha vendosur të kthehesha në Vjenë. Aventurat me Rapidin dhe Austrinë e Vjenës ishin të vështira. Zgjedhjen që bëra për të luajtur tek Neustadt, e vendosa për familjen, në mënyrë që të jem pranë tyre.”

Opinioni i një “goleadori” të lindur është mjaft i rëndësishëm dhe mungesën e golave në Kategorinë Superiore, “bomberi” shkodran e shpjegon nga një tjetër këndvështrim.
“I kam ndjekur ndeshjet e kampionatit, ka mungesë në gola në krahasim me vitet e kaluara. Mendoj se nuk mungojnë vetëm ata që finalizojnë, por dhe lojtarët kreative. Lojtari me më shumë assiste ka 6 te tilla. Ky është një problem me i gjerë, jo vetëm tek sulmuesit.”

Hamdi-Salihi-2

Në Shqipëri ka qenë pjesë e Vllaznisë, Tiranës dhe Skënderbeut, por cili ekip ka mbetur i skalitur në kujtesën e Salihit si më cilësori.
“Tirana e vitit 2006-2007 ishte ekipi më i formuar dhe me më shumë cilësi në krahasim me Skëndërbeun. Pavarësisht se në Korçë kam kaluar një periudhë të mirë, Tirana me Nevil Deden, Bulkun, Mukën etj., është ekipi më i mirë i viteve të fundit në Shqipëri.”

Ka realizuar gola unikalë, por më i veçanti është me ngjyrat kuqezi.
“Goli në Norvegji ishe më i veçanti në karrierën time”./Supersport