Historia e transgjinores shqiptare: Njerëzit e fisit donin të më vrisnin, babai më doli në mbrojtje

Serafina një vajzë transgjinore ndan në një intervistë me faqen e “LGBTI-së” “Historia ime” detaje nga jeta e saj të cilën e quan “të ndarë midis dy botëve“. Ajo tregon për paragjykimet dhe diskriminim nga bashkëmoshatarët dhe mësuesit në moshë të vogël që e detyruan të braktisë shkollën, marrëdhënien e vështirë me familjen gjatë adoleshencës, rastet e dhunimit nga policia dhe vështirësitë e gjetjes së një pune të qëndrueshme. Por flet edhe për raportin e mirë sot me prindërit apo dëshirën për t’iu rikthyer shkollës si Serafina.Në fund, ajo ndan me ne një mesazh për familjarët e personave LGBTI dhe për vetë komunitetin.

Si do ta përshkruaje jetën e një personi trans në Shqipëri?
Një jetë të dyfishtë… Shqetësimi im kryesor është që zgjohem në mëngjes dhe nuk e shoh veten femër. Dua ta shoh çdo ditë veten me paruke, të dal në mëngjes e lyer, e veshur si dua unë. Të harxhon, të konsumon çdo ditë shpirtin fakti që nuk jam femër. Më pëlqen më shumë personaliteti Serafina, dua të jem gjithmonë kështu.
Kur e ke kuptuar se je Serafina?
Qëkur kam qenë në kopësht ndoshta, që atëhere e kam ndjerë paragjykimin se nuk jam si të tjerët. Nuk e dija se çfarë mund të isha, nuk e përshkruaja dot veten, nuk kisha dëgjuar kurrë për LGBT. E ndieja veten shumë ndryshe, midis dy botëve, mashkullit dhe femrës.
A mban mend ndonjë moment nga fëmijëria ose nga kujtimet e tua ku ti e ke kuptuar vërtet se ke lindur në trupin e gabuar?
Po kam shumë. Për shembull në adoleshencë dhe pse nuk e dija që mund të bëhesha trans, kisha krijuar në mendjen time që kur të rritem do të bëhem femër. Në një mënyrë apo në një tjetër do ta pranoj veten dhe nuk do ta mohoj asnjëherë. Kam pasur një jetë shumë të vështirë por prap së prapi nuk e kam mohuar veten për shkak të opinionit ose për shkak të familjes, asnjëherë.
Si ka qenë marrëdhënia jote më familjen? A mban mend ndonjë moment kur ti ke dal hapur me një nga personat e familjes?
Me motrën kam qenë shumë i lidhur, gjithmonë shprehesha me të. Shiko i them, siç ke ti të dashur çun ashtu kam dhe unë të dashur çun… në fillim u mërzit që unë ia pranova. Pastaj ka qenë marrëdhënia më e mirë, kemi filluar të bëhemi më të fortë. Ndoshta dhe ajo e ka ditur gjithmonë për identitetin tim. Kemi qenë shumë të lidhur dhe kemi quajtur dhe ende e quajmë veten motra, jo motër e vëlla. Pastaj nga familja kam pasur mamin krah të djathtë, më mbronte dhe akoma më mbron shumë. Mendoj se do të më mbrojë gjithmonë. Babi ka qenë shumë paragjykues në fillimet e mia, në kohët e adoleshencës. Më pas duke parë që fëmija sido që të jetë, nuk hidhet poshtë, mbi të gjitha që këto janë preferenca krejtësisht normale, unë ky jam nuk mund të ndryshoj. Ata më kanë përkrahur shumë pasi e kuptonin që unë kisha nevojë për mbështetje dhe dashuri të madhe. Edhe e kanë bërë… Ata janë heronj, motiv për mua.. Asnjëherë nuk e kisha menduar se mund të pranohesha nga familja, e shikoja si gjë të pamundur këtu në Shqipëri që të pranohesh nga familja, sidomos nga një baba që vjen nga një fis me mentalitet shumë të mbyllur, nga Shkodra dhe nuk prisja që të më pranonin. Mendoja gjërat më të këqija të botës, përveç se të pranimit. Ka qenë shumë moment i vështirë kur më merrnin, më kërcënonin të afërmit e mi duke më thënë: “Po nuk të vrau yt atë do të të vrasim ne, na ke marrë fytyrën…”. Ka qenë babi im që është përballlur vetë me ata duke i thënë se “ai është fëmija im dhe nuk iu takon fare ta paragjykoni”. Bota e jashtme më paragjykon por familja më mbron shumë, të paktën ma heq atë si të thuash paragjykimin e atyre jashtë, duke qenë se më japin shumë dashuri.
Si është marrëdhënia jote me babin tani?
Tani është shumë mirë, përveç se unë nuk mund të shkoj në shtëpi kështu siç dëshiroj ose të jem pak më i hapur në shtëpi. Mbaj akoma portretin e një djali në shtëpi, pavarësisht se ata e dinë se kush jam unë. Më mërzit akoma ky fakt, dua të jem me personalitetin e Serafinës dhe në shtëpi të më thërrasin Serafina.
A mendon se do të jetë e afërt dita kur do ta arrish..?
E mendoj! E mendoj pasi kur kam qenë në moshën 12-13 vjeçare mendoja se nuk do të ishte kurrë e mundur që të ishe një trans në Shqipëri, mendoja që nuk është kurrë e mundur që të përballesh me familjen, të pranohesh nga familja, të pranohesh pak a shumë nga shoqëria. Këto gjëra u bënë të mundura dhe mendoj se do bëhet e mundur edhe realizimi i personalitetit tim si Serafina.
Po përsa i përket shkollës? Si i ke pasur marrëdhëniet me bashkëmoshatarët e tu në shkollë?
Të them të drejtën kam qenë një natyrë shumë e mbyllur në vetvete për shkak të paragjykimeve. Në 10 vite, bashkë me vitin e parë gjimnaz që kam lënë përgjysmë, nuk kam pasur asnjë shok apo shoqe. Shikoja që kishim djem të tjerë si unë femëror, por nuk mund tju afrohesha pasi do të më paragjykonin akoma dhe më shumë. Gjatë gjithë kohës kam qenë vetëm. Deri në 9-vjeçare e kam shtyrë se kam pasur dhe motrën që më mbështeste në shkollë, ajo është një vit më e madhe se unë. Kur hyra në gjimnaz, vitin e parë e lashë se nuk mund të përballoja paragjykimet. Edhe pse kisha mbështetëse mësuesen kujdestare, ishin shumë të tjerë që më paragjykonin, do doja që të paktën zyshat të ishin pak më të afrueshme. Ka pasur zënka në shkollë, ofendime në rrethin shoqëror, të bëjnë të ndihesh shumë inferior. Të mërzitet jo vetëm shkolla, por çfarëdolloj gjëje tjetër. Edhe familja të mërzitet kur ti paragjykohesh. Ndaj dhashë dorëheqjen nga shkolla.
Do të doje t’i riktheheshe shkollës?
Do doja ti rikthehesha shkollës, si Serafina do të doja shumë… Më nevojitet shumë ajo shkollë, më është nevojitur gjithmonë. Vetëm nga paragjykimet nuk ia kam dalë dot që ta mbaroj deri në fund. Nuk e përballoja dot… Më duhej të përballoja ose dhimbjen dhe shkollën, ose të lija shkollën e të isha pak më mirë.
Më trego pak për momentin kur ke lëvizur nga Durrësi në Tiranë?
Ka qenë periudha e adoleshencës, kujtoj zënkat me të shtëpisë në moshën 14-15 vjeçare. Në fillim fare vij vetëm me një shokun tim anëtar të LGBT dhe prezantohem me Aleancën. U ndjeva shumë i mbështetur që nuk isha vetëm unë, kishte dhe shumë njerëz të tjerë. Fillova të pranoja veten më shumë, të dilja më hapur, provova për herë të parë të vishesha si trans, provova për herë të parë të dal në rrugë si trans. Kur kam dal për herë të parë si Serafina ka qenë një jetë për së dyti.
Si ndihesh kur rikthehesh në Durrës?
Tirana nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh, por të paktën këtu mund të jem më shpesh Serafina ndërsa në Durrës nuk mund të jem aspak Serafina. Është shumë e mërzitshme ajo pjesa e Durrësit pasi kam dhe kujtime nga fëmijëria ime. Nuk e di…
Cilat janë disa prej pasioneve dhe hobeve të tua, çfarë të pëlqen që të bësh?
Make-Up më pëlqen shumë, parukeria. Më pëlqejnë shumë gjërat feminile: veshjet, moda, këpucët. Kam punuar si makeup artist në disa vende në Tiranë dhe në Durrës, por për shkak se në parukeri ke të bësh gjithë kohës me femra, ti je një femër e burgosur brenda trupit të një mashkulli dhe është një punë që të lëndon çdo ditë. Nuk të paragjykojnë po ndihesh ti i paragjykuar me veten tënde që nuk je ashtu siç dëshiron ti.
Mendon se paragjykimi të ka penguar që të kesh një punë të qëndrueshme?
Jo mendoj, por është e vërtetë që më ka penguar shumë paragjykimi, diskriminimi si për shembull kam qenë në punë dhe kur pronari më mbështeste shumë por ishin klientët që më paragjykonin dhe ai vetë ndihej i detyruar që mua të më hiqte nga puna pë dike tjetër.
Ka pasur ndonjë rast kur ke qenë viktimë e dhunës fizike?
Ka shumë raste. Mbaj mend 3-4 vite më parë tek një nga party-it LGBT, dolëm nga “party”, ishim ulur në një lulishte me një grup shoqëror dhe vjen policia na rreh të gjithëve vetëm se po rrinim aty ose për shkak se iu përgjigjëm si femër. Kjo më ka mbetur në mendje dhe nuk më hiqet kurrë. Kemi pasur disa raste kur jemi dhunuar në rrugë dhe i jemi drejtuar policisë e s’kemi pasur aspak mbështetje. Përkundrazi, jemi diskriminuar edhe nga ata. Pse duhet të rrihet një njeri vetëm se është LGBT, mbi të gjitha ti përfaqëson shtetin dhe bën një punë që s’duhet të paragjykosh.
Më trego pak për shoqërinë tënde, si e kalon një ditë, me kë rri, çfarë bën?
Unë kam vetëm dy shoqe të ngushta dhe me ato rri gjatë gjithë kohës. Nuk është se skam shoqe të tjera të komunitetit, por dy prej tyre i kam shoqe të ngushta. Dalim në kafe, njëra është transgjinore tjetri gej, në darkë vishemi, dalim në clube, kemi dal dhe si trans në clube “straight”. Këto janë disa nga gjërat e mira që po ndryshojnë ditë pas dite, vit pas viti këtu në Shqipëri dhe kjo gjë më bën të ndihem mire që të paktën brezi që po rritet mos të vuajë njësoj si ne. Kjo është ajo dëshira më e madhe që unë kam personalisht, që ky brez mos të vuajë ato që kemi vuajtur ne.
Si e mendon jetën tënde në të ardhmen? Cilat janë ëndrrat e tua?
Do doja shumë që e gjithë jeta ime të ishte këtu në Shqipëri. Do doja, por nuk mundem sepse edhe sikur të të jepen mundësitë e punësimit, shkollimit që ti të jetosh një jetë më të mirë, janë paragjykimet që nuk të lënë ta jetosh këtë jetë. Unë dua një marrëdhënie në çift, dua një vend pune si Serafina, këtu nuk më mundësohen dot këto dëshira dhe do kërkoj diku jashtë ndoshta.
Çfarë mesazhi ke për personat që janë pjesë e komunitetit ose ata persona që janë ende inside “the closet” si i thonë, që nuk kanë pasur mundësi që ta shprehin hapur siç po flet ti që ndihen ndryshe?
Unë jam ndjerë i paragjykuar edhe më përpara dhe tani, pra gjatë gjithë jetës. Njëlloj si trans apo kur nuk kisha bërë „coming out“. Duhet të dalin, ta pranojnë veten ashtu siç janë dhe aspak të ndryshojnë jetën e tyre për shkak të mamit, babit, apo duke marrë në qafë një jetë të dikujt tjetër duke u shtirur dhe mbi të gjitha jetën e vet, që nuk do të jenë të lumtur asnjëherë. Të paktën familja të jetë ajo baza e fortë që ne të na mbështesi. Po s’patëm familjen do të ndihemi plotësisht vetëm. Të paktën kur kemi familjen që na mbështet dhe të na thotë ti nuk je vetëm këtu, jemi ne për ty, do bëjmë çdo gjë për ty dhe mos u mërzit për ato çfarë thonë njerëzit jashtë sepse ne të kuptojmë dhe e dimë shumë mire se kush je ti dhe përkundrazi nuk duhet të mërzitesh.