Wedding Story

Edita Berisha & Besfort Lila: U dashuruam me shikim të parë gjatë koncertit të Elvana Gjatës dhe Flori Mumajesit

Kujtimi i tyre më i veçantë është dita kur Besfort Lila e pyeti Edita Berishën nëse mund të ishte shoku i saj i jetës, një propozim që mori përgjigjen “po”. Ata u takuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës natën e ndërrimit të viteve 2013-2014, gjatë një koncerti ku këndonin Flori Mumajesi dhe Elvana Gjata, dhe u martuan në 15 korrik 2016. Rrëfejnë historinë e tyre të dashurisë dhe detajet e dasmës, që nisi me një ceremoni shqiptaro-amerikane në Gjakovë, dhe u mbyll me një after party në pishinë. Bashkë me një set pozash artistike të realizuara nga fotografi profesionist Blend Roka zbulojnë për revistën “Story” sekretet e një çifti, që vendosin të martohen pa mbushur të 30-at.

Sapo jeni martuar, po cila është shprehja e dashurisë që adhuroni të dy?
Letra që Johnny Cash i dha gruas së tij June Carter Cash në vitin 1994 është shprehja që adhurojmë të dy si çift. “U plakëm dhe u mësuam të rrimë bashkë. Mendojmë njësoj. Komunikojmë me mendje. E dimë çfarë do tjetri pa qenë nevoja ta kërkojmë. Ndonjëherë njëri e nevrikos tjetrin. Ndoshta ndonjëherë e marrim tjetrin të mirëqenë. Por herë pas here, si sot, mendoj për ne të dy dhe e kuptoj sa me fat jam që ndaj jetën me gruan më fantastike, që kam takuar në jetë”.
Si e kujtoni historinë tuaj, kur dhe si u njohët?
Jemi takuar në natën e ndërrimit të viteve 2013-2014 gjatë një mbrëmjeje muzikore të organizuar nga shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku këndonin Elvana Gjata dhe Flori Mumajesi.
Ishte goditje me shikim të parë?
Ka qenë dashuri me shikim të parë, por që me kalimin e kohës kemi njohur më shumë njëri-tjetrin, dhe kemi kuptuar që shkonim shumë mirë të dy bashkë.
Dhe sa kohë nga njohja vendosët për martesë?
Kemi jetuar pothuajse një vit bashkë para ceremonisë. Propozimin për martesë ia bëra Editës në ditëlindjen time të 26-të. Ajo kishte planifikuar festë ditëlindjeje me shokët e mi. Por dhe unë i bëra surprizë një unazë, që ia dhashë para shoqërisë dhe familjes sonë në Amerikë.
Flasim pak për ceremoninë e dasmës, ishte moderne apo tradicionale?
Ceremonia e martesës u realizua në Gjakovë në mënyrë tradicionale, e kombinuar me elemente të dasmave amerikane.
Ku synuat të ishit të veçantë?
Gjatë dasmës kishim realizuar një poster me emrat dhe datën e martesës, ku të ftuarit tanë të kishin mundësi të bënin foto dhe të mbanin mend martesën tonë. Kishim përgatitur dhe disa maska të vogla për pjesën e muzikës argëtuese për shoqërinë dhe të afërmit me thënie ose figura qesharake.
Çfarë e bëri të paharrueshme natën tuaj, përveç faktit që ndryshuat statusin?
Pas dasmës shkuam në një pishinë afër Gjakovës, tip after-party me shoqërinë dhe të afërmit. Kishim një DJ, i cili performoi për ne dhe kaluam shumë bukur.
Nusja dhe dhëndri
Veshja ka qenë brenda natyrës së çiftit. Nusja me fustan në stil princeshe, ndërsa dhëndri me kostum të zi, të kombinuar me një fjongo në ngjyrën gri.
Unazat
Unazat që të sapomartuarit shkëmbyen në dasmën e tyre nuk kishin ndonjë dedikim të veçantë, pra ishin tipike unaza tradicionale.
Muzika
Muzika që zgjodhën për ceremoninë, kërcimin e çiftit dhe momentin e prerjes së tortës ishte nga banda “Okarina”, me këngëtarin nga Gjakova Edi Ermeni. Kënga e hyrjes gjatë dasmës ishte “I Gotta a feeling” e “The Black Eyed Peas”.
Muaji i mjaltit
Muajin e mjaltit e kaluan në Pjesën Jugore të Kalifornisë, dhe një pjesë në Las Vegas.

Skeda e çiftit
Nusja: Edita Berisha, 22 vjeçe
Dhëndri: Besfort Lila, 27 vjeç
Viti kur u takuan: 2013
Data e dasmës: 15.7.2016
Kujtimi më i veçantë: Dita që Besfort pyeti Editën nëse mund të ishte shoku i saj i jetës, pra propozimi që i ka bërë.