Wedding Story

Valon & Doruntina Suma: U njohëm në një aheng, propozimi për martesë u bë mbi parashutë

Këngëtari i njohur nga Shkupi, Valon Suma i dha fund beqarisë këtë vit pasi lidhi kurorë me të përzgjedhurën e tij, Doruntina Rakën. Artisti i njohur i hit-eve dhe ahegjeve u bë dhëndër për të marrë nusen e tij në dasmën e veçantë, që ishte më shumë moderne sesa tradicionale. Për historinë 10 vjeçare të dashurisë dhe martesën me artistin rrëfehet për revistën “Story”, nusja Doruntina.

Si ndodhi që u takove me këngëtarin e njohur nga Shkupi, Valon Suma?
Ne u njohëm bashkë kur shumë të rinj. Bashkëshorti im siç e thatë është këngëtar dhe kishte një mbrëmje gjatë weekendit në një lokal në qytetin tonë, ku unë isha e pranishme aty me shoqet e mia. Që prej momentit të parë që u takuan shikimet tona, ndodhi diçka speciale mes nesh. Më pas ai më dedikoi njërën prej këngëve të tij, dhe ashtu u njohëm. Pas një periudhe filluam lidhjen tonë, dhe ja ku jemi sot pas dhjetë vitesh…
I besoni dashurisë me shikim të parë? Ishte ky rasti juaj?
Dashuria me shikim të parë nuk besoj se mund të ndodhë. Ekziston një kimi, një energji që i tërheq dy të panjohur që një ditë të dinë edhe si marrin frymë mes tyre, por ajo kimi nuk është dashuri. Më shumë mund t’i them pasion, tërheqje, e cila me kalimin e kohës, duke u njohur më thellë e duke u plotësuar shpirtërisht, lind dhe ajo që unë e quaj dashuri.
Dhe sa kohë nga njohja vendosët të martoheshit?
Propozimi i martesës ndodhi pas 9 vitesh bashkë. Që të dy prej vitesh ishim të vendosur se duam të kalojmë jetën bashkë, por nuk ishim të gatshëm që kjo të ndodhte menjëherë, pasi ishim të rinj.
U surprizove nga mënyra si more propozimin?
Jam tip që shumë rrallë mund të surprizohem, ose e thënë ndryshe gati aspak, por propozimi nga Valoni ishte aq mirë i planifikur nga ana e tij saqë vërtet më befasoi. Ndodheshim me pushime verore dhe vendosëm që të ngjiteshim me parashutë. Gjatë fluturimit tonë ai hapi kutinë me unazën dhe më propozoi në qiell…
Dhe përfunduat në altar. Ceremonia ishte moderne apo tradicionale?
Ceremonia e martesës sonë ishte më shumë moderne. Kishim përkrahjen nga të dyja familjet që çdo gjë të shkonte sipas dëshirës sonë dhe ne e bëmë në mënyrën që të na plotësonte ne. Por besoj që të gjithë mbetën të kënaqur.
Ku synuat të ishit të veçantë?
Pasioni im janë fotografitë, dhe fat që po martohesha me një person që në profesionin e tij është i rrethuar me kamera dhe fotografi, dhe nuk ma prishi qejfin askund (qesh). Synova të jemi më të veçantë në setet e fotove të dasmës. Bëmë dy fotosesione, nga të cilat i pari u bë në Paris nga një fotograf francez, dhe i dyti u bë në pyll. Dëshiroja foto artistike që do të na mbesin në kujtime përgjithmonë.
Çfarë e bënte të paharrueshme natën e martesës, përveç faktit që ndryshuat statusin?
E bënte të veçantë dashuria që ndjehej në lokalin ku dasma u organizua. Mendoj se të gjithë ishin të lumtur sa ne kur shikoja familjarët, miqtë, kolegët. Ata po argëtoheshin nën tingujt e muzikës dhe po kremtonin dashurinë tonë. Ishte një moment që më risjell emocione sa herë që e kujtoj.
Ndonjë marrëzi si nuse e dhëndër do të kujtoni në të ardhmen, bëtë diçka ndryshe nga çiftet e tjera?
(Qesh) Pyetje e qëlluar. Do të veçoja mometin që aq shumë ishim të zhytur të bënim qejf sa harruam që duhet të prisnim tortën e çiftit, por e bëmë në mënyrë shumë spontane aq sa s’e vuri re askush. (Tani të gjithë do e kuptojnë këtu).
Kujtimi më i veçantë i secilit në lidhjen tuaj prej një dekade?
Për mua si Doruntina, kur më ftoi për herë të parë në skenë dhe më dedikoi këngën: “Engjull që më ndriçon”. Ndërsa për Valonin shëtija në Venezia ishte një shëtitje e bukur deri në detaj.
Tashmë je gruaja e një artisti, si është jeta kur e ke bashkëshortin këngëtar?
Është shumë miks i mirë. Të dy kuptohemi shumë me njëri-tjetrin. Profesioni im si juriste është strikt, ndërsa profesioni i tij është i hapur dhe ndaj kështu bëjmë një balancë. Shpesh udhëtoj bashkë me të nëpër mbrëmje e ahengje, ku ai këndon dhe asnjëherë nuk bezdisemi. E të mos flas për pjesën që tani dëgjoj vetëm muzikë “live” në shtëpi.
Nusja & Dhëndri
Unë e shoh dasmën si një moment tejet të veçantë në jetë, dhe po të mos isha ndjerë vetvetja atë natë nuk do të isha e lumtur. Buzëqeshja dhe shkëlqimi i syve flasin më shumë se gjithçka. Unë kisha fustan sirene të dizejnuar nga butiku “Queen–Haute Couture”, ndërsa Valoni ishte me smoking të zi, i dizenjuar nga Signori.
Muzika
Muzika që zgjodhëm për ceremoninë, kërcimin dhe tortën? Për momentin e hyrjes preferuam këngën e Valonit “Engjull që më ndriçon”. Kjo këngë na ngjall shumë kujtime, që prej momentit kur u njohën e në vazhdim. Ndërsa për prerjen e tortës zgjodhëm tingujt e “Martesa jonë”.
Muaji i mjaltit
Për muajin të mjaltit ende jemi në planifikime e sipër, pasi dëshirojnë të shkojmë larg, në ndonjë vend egzotik.

SKEDA E ÇIFTIT
Nusja dhe Dhëndri:
Doruntina Raka Suma dhe Valon Suma
Mosha: 25 vjeçe dhe 30 vjeç
Profesionet: Nusja: Juriste e diplomuar dhe muzikante e diplomuar.
Dhëndri: Këngëtar
Viti i njohjes: 2006
Data e dasmës: 26.08.2016
Motoja për martesë jetëgjatë:
Doruntina: Të jesh e sinqertë, së pari me veten dhe me të, dhe të mos humbësh pasionin.
Valoni: Kujdesi ndaj njëri–tjetrit duhet të egzistojë, dhe të mos ketë xhelozi të tepruar.