Wedding Story

Endrik & Redina Beba: Në altar pasi thyem rregullin, ftuam njëri-tjetrin në festat e beqarisë

“Ishte lehtësim të ndienim lumturi nga një mbrëmje që shumë e kanë frikë” është përkufizimi i një artisti si Endrik Beba, kur e pyet se si e përjetoi ceremoninë më të veçantë të jetës, dasmën. Ish-vokalisti&lideri i grupit muzikor “Lynx” dhe e dashura e tij e zemrës Redina ishin në pritjen e mrekullueshme të djalit Liam, ndërkohë që po martoheshim gjatë një ceremonie të veçantë në Tiranë.Po si e përshkruan ai lidhjen me Redinën, dhe pse është kaq special? “Gjithë periudha e njohjes sonë ka qenë një kujtim i bukur për mua pasi ishte një ndryshim jetese. Nga një jetë plot kapriço dhe aventura në një stabilitet dhe lumturi mendore, që e kisha harruar që mund të ishte pjesë e jetës sime. Mbaj mend që në orët që isha mësuar të pija e dilja me miq isha me Redinën duke parë filma, ose duke luajtur playstation”, tregon ai. Beba, i njohur më parë edhe si moderator televiziv, në këtë intervistë për revistën “Story” rrëfen dashurinë që i ndryshoi stilin e jetës, detajet e ceremonisë dhe jetën e re si prindër.

Endrik dhe Redina tashmë të martuar pas një ceremonie të bukur dasme. Ishte ajo nata më e bukur e jetës suaj?
Mund të themi që ishte njëra prej shumë atyre netëve që kemi kaluar dhe e para si familje. Ishte një natë e paharruar, pasi të dy dëshironim shumë të vinte ajo natë, dhe gjithashtu u gëzuam shumë dhe nga lumturimi i familjarëve tanë. Në fund ishte një lehtësim të ndienim lumturi nga një mbrëmje që shumë e kanë frikë.
Guxuat me ndonjë marrëzi?
Gjatë ceremonisë nuk kishte ndonjë marrëzi, përveç disa skenave që ishin komike si për shembull; unë duke kërcyer valle. Ndërsa diçka ndryshe ishte se ftuam njëri-tjetrin në festën e beqarisë, pasi ne jemi dhe shok të mirë. Unë e çova në një party me këngëtarin e saj të preferuar, ndërsa ajo më dha një party plot alkool duke më sfiduar sa mund të pija. Normalisht ishin dhe pjesa tjetër e shoqërisë.
Si e kujtoni historinë tuaj, kur dhe si u njohët?
Njohja jonë ka qenë rastësore. Ishte një moment pak i vështirë për mua, pasi sa isha ndarë nga grupi ku këndoja. Me Redinën jemi parë për herë të parë në një rrugicë në zonën e ish-Bllokut për 14 Mars, në Ditën e Verës. Më pas frekuentonim të njëjtat ambiente dhe kështu u njohëm.
Përkufizimi më i saktë do të ishte dashuri me shikim të parë, apo që lindi me kalimin e kohës?
Ishte tërheqje me shikim të parë, po dashuria lindi më vonë dhe kjo është më mirë pasi e njihnim njëri-tjetrin më mirë.
Sa kohë nga njohja vendosët të martoheshit?
Vendimi për martesë ishte rastësor. Nuk ishte planifikuar verën e shkuar, por vitin tjetër. Por duke qenë se të dy duheshim vendosëm të martoheshim më herët.
Si e bëri propozimin për martesë një djalë artist si ty?
E veçanta e propozimit ishte se sado u mundova të gjeja diçka të bukur dhe të paharrushme, përfundova me unazën 3 ditë në xhep. Ditën që ia dhashë u përpoqa të bëja maksimumin, por nuk dua ta ndaj atë moment pasi është diçka e jona.
Si e përshkruan momentin e altarit?
Ishte diçka tepër emocionuese. Redina dhe unë në disa momente nuk mbanim të qeshurën. Madje dhe të pranishmit kishin batuta gjithë kohës që kaluan me të qeshura. Perveç asaj ishim të lumtur që kurorëzuam dashurinë tonë.
Ndalojmë tek ceremonia, ishte moderne apo tradicionale?
Ishte dika dicka e ndërthurur. Asgjë nuk shkoi sipas planit. Por për mua dhe Redinën mjaftoi që ishim bashkë për herë të parë si familje, dhe gjithcka shkoi mirë. Mbaj mend shumë pak gjëra, sepse isha i emocionuar. Mendjen e kisha dhe tek Redina se ishte në pritjen e ëmbël dhe nuk doja të lodhej.
Ku synuat të ishit të veçantë në dhuratat që i bëtë njëri-tjetrit?
Me detajet dhe gjithçka të dasmës u morën familjarët. Dhurata ime për të ishte premtimi që do e doja deri në fund. Dhurata saj për mua ishte djali jonë Liam.
Surprizat që u bënë të afërmit ju?
Shoqëria na dhuroi një javë në Naksos, Greqi.
Në fund kujtimi më i bukur nga historia juaj e dashurisë që do e shoqërojë gjithë jetën secilin prej jush?
Endrik: Gjithë periudha e njohjes sonë ka qenë një kujtim i bukur për mua pasi ishte një ndryshim jetese. Nga një jetë plot kapriço dhe aventura në një stabilitet dhe lumturi mendore, që e kisha harruar që mund të ishte pjesë e jetës sime. Mbaj mend që në orët që isha mësuar të pija e dilja me miq isha me Redinën duke parë filma, ose duke luajtur playstation.
Redina: Momenti më i bukur i njohjes sonë ishte kur dilnim dhe kërcenim dhe Endriku që ishte në siklet përpiqej të më bënte qejfin duke u munduar të përshtatej. Po si rroker që është nuk ia thotë shumë për kërcim.
Nusja & Dhëndri
Si ishte stili i veshjes së nuses dhe dhëndrit, qëndruan brenda natyrës së tyre apo dolën nga stili për një natë? “Unë mund të them që isha jashtë natyrës sime, sepse isha veshur me kostum tradicional. Do të doja shumë të isha më komod, por zgjodhëm të dy të ishim të veshur të tillë”, tregon Endrik. “Edhe Redina gjithashtu ishte veshur në të bardha. Ishte pak e vështirë pasi shtatzënia nuk e lejonte të ishte komode, por fustanet ishin të katër pothuajse të bardhë”, shton ai.
Unazat
Pyetjes nëse kishin ndonjë dedikim e veçantë tek unazat e martesës, dhe për çfarë bëhet fjalë, çifti tregon: “Në pjesën e brendshme të unazave kemi gdhendur emrat tanë dhe të djalit”.
Muzika
Kënga e tyre ishte “Thinking out loud” nga Ed Sheran. Pjesa tjetër ishte nga muzika tradicionale shqiptare dhe popullore duke përfunduar me “Rock dhe Rock N’ Roll”. Muzika e prerjes së tortës ishte “I don’t want to miss a thing” nga Aerosmith.
Muaji i mjaltit
Pasi kaluan një javë në Naksos qëndruan disa ditë edhe në shtëpinë e tyre të plazhit. Nuk mund të lëviznin shumë pasi s’mund të rrezikonim shtatzëninë e Redinës.

Skeda e çiftit
Të martuar: Endrik & Redina Beba
Profesionet: Këngëtar & Studente në Fakultetin e Filologjikut
Viti i njohjes: Mars 2014
Data e dasmës: 03/07/2016
Motoja për martesë më jetëgjatë:
Endrik: Bëni gjithçka për familjen tuaj dhe kurrë mos hezitoni të dashuroni!
Redina: Qëndroni gjithmonë pranë njëri-tjetrit kur të keni nevojë. Nëse qëndroni bashkë asgjë nuk do jua prishë lumturinë. Në fund dashuria do ju japë të gjitha frutet e saj.