Wedding Story

Fiori Dardha: Organizuam ceremoni dasme pasi dimë sekretin e martesës jetëgjatë

U vesh me të bardha në pesë vjetorin e djalit Abel, dhe e priti ditëlindjen si nuse duke festuar me njerëzit më të dashur në ngjarjen më të madhe të jetës. Moderatorja e programit investigativ “Boom” në “Ora News”, Fiori Dardha u celebrua me partnerin prej shumë vitesh, regjisorin e njohur Donard Hasani. Dasma më e famshme e vitit në metropol ishte si një dhuratë që Fiori i bëri të birit, i cili ishte i zoti i dasmës, ndërsa bashkëshorti kaloi në plan të dytë, në rolin e shoqëruesit të dhëndrit të vogël, Abel. Për lidhjen e veçantë mes një aktoreje dhe një regjisori e sekretin e martesës së suksesshme, Fiori rrëfehet për revistën “Story”.

Të shohim në një dyshe mikeshash me Rozana Radin, në programin e ri investigativ në ekranet shqiptare “Boom”. Ndodh që jeni dhe rivale përveç mikesha?
Miqësia është një raport, i cili sigurisht që e ndihmon produksionin. Mendoj që në aspektin profesional një marrëdhënie e tillë krijon premisa për një komunikim më të natyrshëm ndërmjet parteneresh. Rivale, jo. Mendoj që mungesa e rivalitetit nuk buron vetëm nga fakti i të qenit mikesha. Ndërtimi i një dialogu televiziv kërkon partnere më shumë se rivale.
Ndalojmë tek ty, një aktore që i hyrë gazetarisë dhe botës së televizionit. Në karrierën tënde ku përfundon aktrimi dhe ku nis gazetaria?
Gjatë studimeve e më pas, jam marrë intensivisht me televizionin. Nuk kam marrë guximin në asnjë moment të bëj role në teatër. Kjo më ka bërë që të harroj se kam mbaruar një shkollë arti dhe t’i dedikohem gazetarisë. Aktrimi më ka ndihmuar në dëshirën për të komunikuar ndryshe me audiencat, ndërsa gazetaria më ka bërë të ndihem mirë me veten time.
Po familja juaj a është pak a shumë një skenë teatri, duke pasur parasysh që bashkëshorti yt është regjizori i njohur Donard Hasani?
Në një skenë teatri luhen tragjedi, drama dhe komedi. Jeta jonë familjare nuk është kaq tronditëse sa një skenë teatri, sepse ne në të jemi të vërtetë dhe jo të shtirur. Nëse do ta përcaktonim më zhanret e dramatikës, mund të them që jeta jonë familjare i ngjason një drame liriko–sentimentale.
Lajmi më i bukur nga familja juaj ishte që në 5 vjetorin e djalit tuaj Abel organizuat ceremoni dasme. A mund të të shijojë sa duhet dasma si nënë?
Unë i kam pyetur prindërit e mi: Ku isha unë kur ju u martuat, pse nuk me ftuat në dasmë?”Këtë pyetje nuk mund të ma bëjë im bir. E shijova dasmën pafund. Unë hyra në sallë me djalin tim për dore, dhe kjo ishte një ndjesi e mrekullueshme.
Pse vendosët pikërisht tani të visheni nuse e dhëndër?
Ky është 5 vjetori i Abelit, dhe për ne është një ngjarje e rëndësishme. Menduam se kishte ardhur momenti që miqtë tanë të festonin me ne një event të një përmase më të madhe sesa kaq. Besoj që zgjidhja ishte e duhur pasi duheshin bërë bashkë të tërë dhe një arsye e tillë është e mjaftueshme.
Pas dasmës po planifikoni sjelljen në jetë të vajzës?
Sa për vajzën do të mendohemi dhe kjo ka lidhje ngushtësisht me axhendën profesionale të të dyve ne.
Ti njihesh për natyrën e çlirët dhe të hapur aq sa me shaka bashkëshortin e quan “bashkësherri”. Si është martesa juaj, a mund të na e përshkruash?
Martesa jonë është e mbarë. Them “bashkësherri” për të qenë pak “populiste” pasi të gjithë ankohen nga jeta në çift. Unë, për hir së vërtetës jam mirë (Marshallah). Nëse do ishte ndryshe nuk do bënim dhe dasmë.
Duke u nisur nga temat e shpeshta që trajtohen në ekranet tona të tipit si të mbash gjallë pasionin në çift, mund të na tregosh një sekret tuajin?
Sekreti për një marrëdhënie të gjatë dhe të suksesshme është: Të jeni të vërtetë, flisni me njëri–tjetrin, diskutoni, grinduni, por jini të vërtetë! Mendoj që kjo është një formulë suksesi.

Dasma e personalizuar e Fiori Dardhës: Vesha fustanet që kisha ëndërruar gjithë jetën

Lind pyetja tradicionale apo moderne ishte konceptuar dasma e Fiori Dardhës? “Nisi si tradicionale dhe përfundoi si moderne. Unë hyra në sallë me një fustan klasik, por nuk vazhdova gjatë kështu. Të tjerë elementë ishin menduar si surprise”, tregon Fiori Dardha për revistën “Story”. Nëse jeni kureshtarë të dini se çfarë kishte të personalizuar kjo ceremony martesore, sa i takon fustanit të nuses, kostumit të dhëndrit, muzikës, tortës, kërcimit, Fioripërgjigjet:”I personalizuar ishte i gjithë eventi. Kjo është ngjarja e jetës sonë dhe mendoj që veçantia e saj e bëri të personalizuar. Por sigurisht që nuk mungojnë edhe elemente të personalizimit.”
Fiori nuse me fustanin e ëndrrave
“Vesha fustanin që e kam ëndërruar gjithë jetën”, u shpreh Fiori pak ditë para dasmës, kur gazetarët e pyetën se cili ishte fustani që kishte zgjedhur për ditën më të rëndësishme të jetës. Ajo zgjodhi nga fustanet e koleksionit të “Frida, Xhoi&Xhei”, që sipas saj ishin të gjithë të mrekullueshëm, aq sa e kishte të vështirë kë të zgjidhte më parë”.
Të ftuarit në dasmë dhe dhuratat
“Mos përmendni litarin në shtëpinë e të varurit. Shumë kushtoi, pasi kishim rreth 260 të ftuar. E morëm përsipër këtë dhe shqetësimi ynë më i madh ishte që të ftuarit të kënaqeshin sa më shumë”, tregon Fiori ndër të tjera. “Sa për dhuratat, mendoj që çdo gjë e bërë me zemër, të gëzon!”, përfundon ajo rrëfimin.