Wedding Story

Romantiku i fundit Turjan Hyska propozim të paimagjinueshëm Orinda Hutës në dasmë: Dua të kem tetë fëmijë me ty!

Brenda një pylli të magjepsur të improvizuar në “Iluminatium Restaurant” në periferi të Tiranës, në një dekor të realizuar me klas nga Mand Peza, lidhën kurorë më 27.07.2017 çifti i njohur i showbiz-it, Orinda Huta dhe Turjan Hyska. Pas 10 vitesh histori të bukur dashurie, ata parakaluan para miqve si nuse e dhëndër gjatë një ceremonie vërtet special, të organizuar në Tiranë. Dasma me 300 të ftuar që zgjati deri në mëngjes ishte një spektakël i vërtetë, ku Turi dhe Orinda ishin drejtuesit e show-t, në natën më të rëndësishme të jetës së tyre. Të pranishmit e cilësuan përrallore çfarë panë e shijuan në festën e ideuar brenda një pylli të magjepsur në natyrë, krah të cilit kalonte lumi Erzen.

Dasma me 20 kulme e Turit & Orindës
Marçela Lati, drejtore e sek¬torit të veshjeve të “Geraldina Sposa”, tregon se “si rrallë herë kjo dasmë kishte gjithsej 20 kulme, duke i mbajtur të ftuarit si me magji të mbërthyer pas festës”. Ceremonia nisi në orën 19:30 të mbrëmjes me altarin, dhe zgjati deri në orët e para të ditës së premte. Orinda Huta, e cila ka sfiluar për “Geraldina Sposa” e kishte zgjedhur fus¬tanin e nusërisë që në muajin janar. Momenti i altarit ishte ai më emocionuesi që nisi në orën 19:30, një ceremoni shumë intime me praninë e 50 personave të rrethit të ngushtë. Përlotja e Turit ishte një mo¬ment që nuk pritej, ndërsa mbante Orindën prej dore, ndërkohë që iu drejtua në altar me fjalët: “Nuk kam frikë nga e ardhmja, sepse kam në krah një krijesë magjike, që shpresoj të jetë nëna e fëmijëve të mi të shumtë”. E ky ishte vetëm fillimi pasi Turi e dëshmoi dashurinë e tij të pafundme me një dedikim që i kishte bërë Orindës, një këngë të cilën e deputoi ndërsa Orinda qëndronte e ulur para tij. Dasmorët ngelën pa fjalë kur në një nga vargjet e këngët Turi i bëri një propozim të paimagjin¬ueshëm nuses së ardhshme me anë të disa vargjeve: “Të dua Orinda Huta, të dua dhe ti e di. Dua 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 beba. Të dua, të dua, të dua sa të jetë jeta. Nga të pranishmit, Turi u cilësua burri më romantik që kishin parë, pasi e bëri part¬neren e jetës të ndihej princesha e vërtetë e mbrëmjes. Për gjithë organizimin u kujdes miku më i afërt prej më shumë se 10 vitesh i çiftit, Klevis Saliaj.

Fustani i Orindës & kostumi i Turit
Me një fustan të dizenjuar nga Herve Moreau, për të cilin vendosi bashkë me Marcela Latin, u shfaq nuse Orinda Huta. Ndërsa dhëndri Turjan Hyska u duk shumë elegant me një kostum të stilistit më me emër italian sa u përket kostumeve të dhëndërisë, Carlo Pignatelli. Çifti u fotografuan gjatë gjithë mbrëmjes nga fotografi që kishin zgjedhur për ditën e tyre, Elvis Gorica.
Unazat klasike, dhe simboli i ngjyrës gold
Çifti shkëmbyen unazat e martesës që ishin të thjeshta, pra në modelin e rrethit klasik. Sa i takon dekorit, ata kishin zgjedhur si element bazë ngjyrën gold, duke iu larguar të bardhës tradicionale që jemi mësuar të shohim shpesh në dasma.
Darka gjysmëtradicionale, torta & open bar me koktejle
Menyja në darkën e Turit dhe Orindës, ishte gjysmëtradicionale dhe e shoqëruar me verë të mirë. Në tavolina kishte shumë lule natyrale, ndërkohë që ra në sy detaji misterioz dhe i personalizuar në tavolina, një tub qelqi me bar code, brenda së cilit gjendej falenderimi për dasmorët. Fill pas tortës që u pre nga çifti rreth orës 02:30 pas mesnate, dasmorët u zhvendosën në barin e instaluar në një kënd të dekorit. Aty ndodhej barman-i Briken Fejzullahu, i cili përgatiste koktejlet për dasmorët.
Muzika & këngëtarët BIG
Nga Aurela Gaçe, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi djemtë e grupeve të “Produkt 28” apo “West Side Family”, dhe Dj.Vin Veli, ishin ata që krijuan atmosferën e një show. Kulmin dasma e arriti me patriotin e Turit, Kozma Dushin nga Berati, i cili riktheu nostalgjinë e këngëve të tij të njohura ndër vite. Befasues ishte momenti kur showman-i Ardit Gjebrea, mori mikrofonin për të kënduar me nusen një nga këngët e saj më të njohura të karrierës si këngëtare.