Stil

Sardi Shehu: DJ i club-eve të natës me shije në muzikë dhe në veshje, rastet kur vishet si reper apo…

Nuk e kishte menduar kurrë se të bëhej DJ, duke pasur parasysh se ka studiuar në Akademinë e Arteve për Piano. Në vitin e parë të gjimnazit Sardi Shehut i lindi pasioni, që do i jepte famën që ka sot. Veshjet e tij ditën apo natën në club-e, të dielave në televizion si anëtar i jurisë për kategorinë “New ar tist” në “Kënga Magjike”, e në evente të rëndësishme tërheqin gjithmonë vëmendjen. Për këtë arsye Dj Sardin që bie në sy për stilin e klasin e tij e kemi zgjedhur si personazhin e muajit për rubrikën “Me stilin e…” në revistën “Story”.

Maj 2015
Tuta e bluzë pambuku, të kombinuara me atlete në ngjyrë jeshile. Një veshje kjo sa e rehatshme aq edhe e këndshme për t’u parë tek Sardi Shehu. Natyrisht që të veshurit sport është kthyer në tendencën e djemve sot, pasi i bën të ndihen komodë në përditshmërinë e tyre dhe të duken njëkohësisht bukur.
Tetor 2015
Në një event të organizuar nga “Liu Jo” në Tiranë, Dj Sardi kishte kombinuar stilin sport me atë modern. Si gjithmonë i apasionuar pas të zezës dhe ngjyrës gri, edhe në këtë rast ai nuk ka hequr dorë nga ngjyrat e tij të preferuara. Në këtë veshje do të veçonim atletet, që i shkojnë shumë me xhinset e grisura.
Maj 2016
Nga koka tek këmbët me të zeza na shfaqet në këtë foto Sardi Shehu në “street style”. Për t’u dukur gjithmonë trendy dhe me shumë stil edhe në këtë veshje e shohim të kombinojë bukur xhaketat me xhinset e grisura.
Maj 2016
Kjo veshje pranverore është shumë e bukur për një djalë me trup të regullt si Dj Sardi. Xhinset, atletet dhe bluza e bardhë të kombinuara me syzet e errëta i japin një pamje sa sportive aq edhe “trendy”.
Qershor 2016
I ftuar në emisionin sportiv “Euroscaner” në “Ora News”, që prezantohej nga Viola Spiro, Sardi Shehu kishte guxuar me ngjyrën e neonit të bluzës. Kjo veshje është sa modern aq edhe klas, duke pasur parasysh që xhinxet e grisura i ka kombinuar me këtë xhaketë elegante të zezë.
Qershor 2016
Në parakalimin e tij në eventin më të rëndësishëm të vitit “Top Music Awards” në Pallatin e Kongreseve, Sardi Shehu ra në sy me veshjen shik. Kostumi i zi me këmishën e bardhë mat, kombinuar me aksesorët e goditur e bëjnë të duket shumë elegant. Për të mos harruar papijonin fin për një event të përmasave të mëdha.
Tetor 2017
Bluzë e zezë në stilin polo e mbërthyer deri në grykë. Kjo e kombinuar me pantallonat stil modern dhe këpucët shumë elegante. S’kemi çfarë vërejtje t’i bëjmë, përkundrazi e komplimentojmë për veshjen Dj Sardin, në daljen e tij të parë për këtë sezon, si anëtar i jurisë në kategorinë “New artist” të “Kënga Magjike 2017”.