My STORY

Kelly: Në “Kënga Magjike” me dedikim për bashkëshorten, është shumë e thjeshtë ta kuptoni se si ndihem

Enis, quhet bashkëshortja e Kelly-t që si nga gjërat më të bukura që i ka ndodhur në jetë, e ka merituar këngën me titull “Kur ti buzëqesh”. Me këtë krijim, për të cilin është frymëzuar nga partnerja e jetës, ai konkurron në festivalin “Kënga Magjike”. Ndërkohë që pret të bëhet baba për herë të parë, muzikanti i njohur rrëfen për revistën “Story”, ndjesitë dhe emocionet e dashurisë së vërtetë, që i kanë ndryshuar totalisht jetën.

Konkurron në “Kënga magjike” me këngën me titullin romantik “Kur ti buzëqesh”. Kush të frymëzoi, dhe është kjo gjendja jote shpirtërore e momentit?
Po, është e vërtetë. Këtë vit paraqitem tek “Kënga Magjike” me këngën “Kur ti buzëqesh”, e cila po pritet shumë mirë nga publiku. Kënga është një dedikim për bashkëshorten time Enisën, flet për ditën që jemi njohur, ndjesinë kur jemi bashkë, premtimet që dhurohen, etj etj… Është shumë e thjeshtë ta kuptoni se si ndihem, mjafton të dëgjoni këngën për ta kuptuar më tepër. Besoj se çdo njeri i dashuruar mund ta gjejë veten brenda vargjeve të kësaj kënge.
Dihet që fituesi i “Kënga Magjike” zgjidhet nga votat e kolegëve. Ti ke dalë hapur që tani me pikët pasi ke postuar në facebook këngën e Stines “Ma more zemrën”. Ështe ajo e preferuara jote deri tani?
Në fakt nuk kam shpërndarë vetëm këngën e Stines, kam shpërndarë edhe këngë të tjera nga ky edicion. Me Nestin jemi miq të mirë, njihemi prej kohësh. Sigurisht që nuk ka të bëjë miqësia në këtë rast por kënga, që është një produksion i mirë. Nuk mund të them nëse është e preferuara ime pasi duhet t’i dëgjoj të gjitha këngët që do prezantohen në vijim. Kam votuar gjithmonë si profesionist në “Kënga Magjike”, dhe do të vazhdoj ta bëj këtë çdo herë që do të jem pjesë e këtij kompeticioni.
Gjatë intervistës me Ardit Gjebrenë u zbulua që ti po pret të bëhesh baba. Si e përshkruan këtë emocion, dhe ishte diçka e planifikuar?
Ishte një emocion tejet i veçantë të dëgjoje të rrahurat e bebit live në studio. Nuk j’ua përshkruaj dot. Ky fëmijë erdhi si një bekim i Zotit, dhe mezi po e presim ta mbajmë në duar e të bëhemi tre në familjen tonë.
Cilat janë ëndërrimet e një babai artist si ty për fëmijën?
Sigurisht që çdo prind do më të mirën për fëmijën e tij. Së pari do të doja të vinte i shëndetshëm mes nesh, të marrë dhe të dhurojë dashuri pa kushte. Do të doja të merrej me art, por nuk do i ndikoj në zgjedhjet që do të bëjë në jetë. Mendoj që do më ngjajë pak për sa i përket muzikës, sepse sa herë që i këndoj fillon lëviz më shumë…
Çfarë të tërhoqi kaq shumë tek vajza që do të jetë nëna e fëmijës tënd. Duke i qenë i rrethuar nga artistet, pse zgjodhe pikërisht Enisën për ta pasur në krah?
Enisa është vajza me të cilën jam kaq i lumtur, dhe i plotësuar që e kam në krah. Ka të gjitha cilësitë që kam dashur tek një femër. Është femra që më ndikon të jem një njeri më i mirë në shumë aspekte. Kur ajo qesh me të vërtetë duket sikur yjet ndriçojnë edhe më shpesh… Jam i bindur se do të jetë një mama shembullore. Jemi dashuruar që në momentin e parë dhe vazhdon të jetë e njëjta ndjenjë çdo ditë, sikur të jemi takuar për herë të parë, po i njëjti emocion e vetmja gjë që ndryshon është ndjenja që shtohet çdo ditë.
A mund të jeni aq tradicionalë ju artistët e muzikës sa t’i premtoni dashuri të përjetshme partneres? Ty çfarë të bën të besueshëm apo të veçantë ?
Pse jo, unë besoj në dashuritë e përjetshme. Janë ato që i japin kuptim jetës, familjes dhe nga të cilat frymëzohesh për të bukurën.
Këngët më të bukura mendon se i ke krijuar kur ishe single apo çift?
Një këngë e bukur vjen kur je i frymëzuar, e bëhet akoma më e bukur kur ky frymëzim vjen nga dashuria. Gjithsesi frymëzimi nuk ka status pasi edhe pas një lëndimi apo zhgënjimi mund të bësh muzikë të bukur.
Ndodh që i gdhin netët duke punuar në studio, aq sa ke bërë xheloze partneren?
Ndodh shumë shpesh që të punoj me orë të zgjatura në studio, por gjithmonë jam munduar ta ndaj kohën midis families dhe punës. Jo, nuk bëhet xheloze pasi ne jemi të dy profesionistë në punën që bëjmë dhe oraret dihet që mund dhe të zgjaten ndonjëherë prej fluksit të punës. Kjo nuk na jep arsye për të qenë xhelozë me njeri-tjetrin.
Dimë që je i pasionuar pas tattoo-ve. Mund të na zbulosh kuptimin i tatuazhit të fundit që ke bërë në trup?
Po më pëlqejnë shumë tatuazhet dhe kam disa. I fundit është ky që kam në dorë, është emri babait tim që nuk jeton më i ndërthurur me të tjera gjëra. Më pëlqen që çdo tattoo të ketë domethënie e jo të bësh një tattoo vetëm për t’u dukur bukur.