Linda Jarani: I bukur apo i shëmtuar? Në punën tonë s’e zgjedh dot partnerin për romancë

Pasi e kemi parë në serialin “O sa mirë”, Linda Jarani ndryshon krejtësisht pllakë si aktore me rolin e saj protagonist në filmin e ri me metrazh të shkurtër “Faith”. 25 vjeçarja që duket në pamje si shëmbëlltyra e gjallë e Frida Kahlos, rrëfen në këtë intervistë për revistën “Story” jetën që bën jashtë skenës e televizionit, dashurinë që zgjat më shumë se vetë jeta, dhe “kaosin” e pagesave të ulëta të aktorëve.

Ke profesionin e aktores, po sa e bukur është jeta që ti bën?
Për mua rëndësi ka vetëm qetësia shpirtërore, dhe jeta është më e bukur. Këtë përpiqem të ruaj gjithë kohës.
Në dashuri je romantike e pandreqshme apo aventuriere që thyen zemra djemsh?
Ndonjëherë dashuria më duket më e gjatë se jeta…
Ndërkaq “Faith” është filmi i ri me metrazh të shkurtër që ke lançuar në rrjeteë sociale. Mund të na zbulosh pak nga historia dhe rolin që ti ke?
“Faith” është filmi i parë i shkurtër që bëj, me një punë shumë profesionale nga regjisorja më e re, Jehona Berisha. Me rolin kryesor që quhet Fjolla, një karakter i ndjeshëm, e përkushtuar ndaj partnerit të saj, me një besueshmëri të verbër ndaj tij. Sa e ndjeshme aq edhe një femër e vendosur, dhe me një energji të brendshme që shfaqet në një mënyrë elegante. Përveçse roli ka qenë shumë i rëndësishëm për mua, dua të theksoj procesin e punës dhe seriozitetin e realizimit të këtij filmi nga fryma më e re e të rinjve të talentuar të Kosovës.
Në një nga momentet e filmit të pasqyruar në foto dukeni të zhveshur dy vajza dhe një djalë. Cili është prapaskena e asaj skene?
Ajo është një foto e realizuar nga një tjetër vajzë shumë e talentuar Fioralba Kryemadhi. Ai kompozim i trupave nuk shtron idenë e të qenurit nudo në film. Në film ndodh një ballafaqim i tre personazheve, ku në mënyre figurative zhvishen nga gënjeshtra, zhvishen nga morali, identiteti dhe pafajësia.
Nga seriali i famshëm televiziv në Kosovë “O sa mirë”, tek ky film me metrazh të shkurtër. Kush ishte Linda në atë rol dhe kush është Linda në këtë rol?
Ky është një film artistik dhe dramatik. Unë e njoh kapacitetin tim deri ku shkon. Në serial televiziv ka një proces aktorial tjetër nga filmi artistik. Nga një projekt në tjetrin unë ndjej se po rritem, dhe kam ende për t’u rritur më duket një rruge shumë e gjatë.
Çfarë skene të guximshme mund të luash në film, që s’mund ta bësh në teatër?
Kur e bën në teatër, sigurisht që do të bëhet dhe në film. Unë nuk kam komplekse sigurisht brenda logjikës dhe skenave të justifikuara.
Puthjet në kinema apo skenat hot janë gjithmonë ato më të diskutuarat. Ti ke tabu të tilla, dhe cilin aktor Hollyvood-ian do të dëshiroje për partner në një skenë të tillë?
Tabu mund të jetë për publikun, po për mua nuk është. Jam aktore dhe për mua nuk ka më komplekse në skenë. Është një proces interesant që ti s’e zgjedh partnerin që do të kesh romancë, e kushdo që të jetë partneri yt do ta pranosh i bukur apo i shëmtuar të jetë.
Një aktor në Shqipëri mund të fitojë shuma të mëdha parash, apo pagesat janë ende modeste?
Kjo është një temë “kaos”. Është një “kaos” i madh me aktorët. Dhe për këtë e kanë fajin vetëm aktorët. Duhet reagim individual dhe më e rëndësishmja në grup. Ne kemi forcë shumë të madhe për të ndryshuar standardin tonë dhe për të vlerësuar punën tonë.