Marko Caka në botën e Hollywood-it: Pas “Fast and Furious” do më shihni në rolin e shoferit personal të yjeve të famshëm

Marko Caka është aktori shqiptar, që ka arritur të prekë magjinë e Hollyëood-it, duke intepretuar në 80 filma të industrisë së famshme. Por në këtë atmosferë festash emri i tij u komentua shumë në Shqipëri, pas një statusi ku shprehte revoltën ndaj të ashtuquajturve VIP-a shqiptarë, që ekspozojnë luksin e shfrenuar në “Instagram”. Në një intervistë për “Panorama Plus” ai tregon më shumë se çfarë e nxiti të festonte në një mënyrë të tillë, jetën mes yjeve të famshëm të kinemasë që i lakmon gjithë bota, famën, paratë dhe pse s’e ka gjetur ende dashurinë.

Ti ke bërë realitet ëndrrën më të madhe, të luash në Hollywood. Si është jeta e aktorëve në paskuinta, a janë ata normalë?
“Absolutisht që aktorët këtu janë njerëz normalë dhe shumë prej tyre të thjeshtë e të dashur. Unë kam fatin edhe t’i përjetoj në ambientet e punës në sheshxhirim, por edhe të udhëtoj me ta dhe janë njerëz të shkëlqyer, që nuk i dallon aspak nga pasuria e tyre. Kurrë nuk vishen firmato apo me aksesorë të shtrenjtë. Më kujtohet një yll kinemaje kur po luanim në sheshxhirim, që për hir të rolit, në vitet ’70-të si bos mafioz, ai duhej të vinte orën e varëset e shtrenjta dhe për çdo dubël kërkonte nga dizenjuesja e produksionit, që t’i hiqte dhe t’i vendoste përsëri se aspak nuk i duronte aksesorët e florinjtë në trupin e tij. E sa e sa shembuj të tjerë të yjeve, që i kam njohur nga afër, tregojnë gjeste humane.

Marko-Caka-2

Me çfarë syri të kanë parë ty amerikanët, si shqiptarin që arriti të depërtojë me portretin e veçantë si aktor i personazheve të epokës së kaluar?
Kam pasur fatin të pëlqehem nga regjisori i madh Steven Spielberg me një skenë të vogël të një karakteri modest të reporterit të viteve ‘50-’60-të, apo të shefit të Policisë së viteve ’70-të, që pëlqimi te të tjerët të ishte më i lehtë në projekte filmike të produksioneve të mëdha dhe të regjisorëve me çmime Oscar, si i ai i doktorit në vitet 1900, apo i një dizenjuesi artistik të viteve 1850, apo i gangsterit në vitet 1920, e sa e sa të tjera role. Pra, është një privilegj që më është krijuar nga drejtorët e kasteve, bashkë me pëlqimin e regjisorëve, të cilët u japin shumë rëndësi edhe roleve të mia të vogla skenike.

Njihesh si shqiptari i “Fast and Furious” krah aktorëve të famshëm. Si arrite të kesh sukses, duke qenë se nuk ke lindur në SHBA dhe s’je fëmija i një aktori apo regjisori të madh?
Gjithçka ka nisur me një audicion të garave të shpejtësisë, tre vite më parë sepse unë jam një shofer i çmendur pas shpejtësisë, që casting director të vendoste të më jepte një karakter. Do të luaja rolin e policit në një skenë me “The Rock” e Jason Statham. Madje, kur kam marrë licencën e shoferit profesionist pas “Fast and Furious” të fundit, instruktori më tha që: Ti je shoferi më i famshëm i kësaj kategorie për Nju Jorkun. Dhe u ndjeva shumë i privilegjuar me këtë vlerësim, sepse kam filluar të marr role të shoferit personal të yjeve të filmit në disa skena, që do të shfaqen së shpejti në ekranin e madh.

Marko-Caka-3

Ç’të impresionon vërtet nga loja e aktorëve të mëdhenj dhe a mund të përmendësh emra?
Më impresionon shumë talenti i tyre, që nuk janë rastësisht aty ku janë. Më impresionon që janë korrektë me orarin dhe vijnë shumë të përgatitur dhe që janë shumë profesionalë, dinë se çfarë do të bëjnë pa qenë nevoja për t’i drejtuar. Dhe më kryesorja, vazhdimisht pyesin, nuk bëjnë të diturin, por duan të bashkëpunojnë sepse çdo regjisor ka filozofinë e tij dhe këndvështrimet e tij në sheshxhirim. Ata që më kanë impresionuar më tepër janë; Leo Di Caprio, Tom Hanks, George Clooney, Sarah Jessica Parker, De Niro, James Spade, Julia Roberts, Emily Blunt, e shumë të tjerë se bëhet fjalë që kam qenë prezent në mbi 80 filma. S’dua të lë pa përmendur tre aktorë, me të cilët kam shumë skena; Hug Jackman, Meryl Streep e Keany Reaves. Madje me Reaves kam punuar 1 javë rresht gjithë natën dhe ngaqë skenat ishin aksion me gjakosje, kujtoj se kur vinim te kioska e produksionit i përgatisja çaj dhe kafe, ngaqë duart i kishte me make up. Shumë i thjeshtë mund të them, një xhentilman.

Ke arritur të shkëmbesh numrat e telefonit me ta dhe sa e mundur është t’i kesh miq?
Po, në disa kam arritur të kem edhe komunikim, madje edhe të udhëtoj në destinacionet e tyre si në sheshxhirim, hotele, apo në fluturimet e tyre. Ata bëhen shumë miq kur të njohin mirë se kush je dhe fati i punës më ka sjellë shumë pranë tyre për të mësuar shumë gjëra nga eksperienca e tyre.

Në kohët që jetojmë, diskutohet fakti nëse fama dhe pasuria shkojnë paralel me lumturinë. A janë të lumtur aktorët e mëdhenj të Hollywood-it?
Absolutisht yjet e Hollywood-it jo gjithmonë janë të lumtur, sepse janë njerëz si ne. Dhe sado që janë milionerë, ata janë shumë të ndjeshëm ndaj problemeve që rrethohen dhe që u krijohen. Më kujtohet para disa muajve po udhëtoja me një yll kinemaje, e cila po qante gjatë gjithë rrugës dhe miqtë e saj po e ngushëllonin në telefon për zjarrin e madh në Kaliforni dhe që i kishte shkrumbuar të gjithë vilën dhe që kishte arritur të shpëtonte vetëm qenushin e saj. Pra, ajo po përjetonte një dramë, duke humbur shtëpinë me të gjithë kujtimet e saj. Pra, përveç jetës së bukur plot shkëlqim në evente dhe ceremoni të ndryshme të tapetit të kuq, ata kanë edhe anën tjetër të jetës normale, me të mirat e të këqijat e saj.

Marko-Caka-1

A ke një lidhje dashurie në SHBA, apo nuk ke kohë për jetë private?
Jo, akoma për fat të keq, ku dhe një arsye e ka edhe ngarkesa e madhe, por edhe fati që nuk më ka dalë një princeshë që të ma rrëmbejë zemrën apo t’ia rrëmbej zemrën. Këto janë fatet e jetës, se kushedi ku ndodhet shpirti binjak. Zoti e di më mirë sesa e dua familjen dhe mbase më ka rezervuar vetëm të gjej gruan perfekte ku probabiliteti është shumë më i vogël dhe jo aq i zakontë.

Ka aktorë shqiptarë që përpiqen të depërtojnë nëpërmjet teje?
Në industrinë e filmit që ndodhem unë, mundem vetëm t’u sugjeroj dhe t’i orientoj se çfarë duhet të bëjnë. Sepse depërtimi ndodh vetëm sipas kritereve të aftësisë së tyre nëpërmjet audicioneve.

Çfarë synimesh i ke bërë vetes dhe a ekzistojnë kompromiset në Hollywood?
Unë shumë gjëra, që ishin ëndërr për mua, i kam realizuar, pra, të jem pjesë e unionit të industrisë më të madhe, të jem pjesë e një filmi të madh dhe regjisorit më të mirë, e kam realizuar. YlIin e kinemasë nuk e kam ëndërruar kurrë se vazhdoj të jem me këmbë në tokë dhe për këtë jam i qetë. Ndërsa për synimet e tjera jam gjithnjë kërkues ndaj vetes për të marrë maksimumin dhe duke qenë në vendin e mundësive, nuk mungojnë kurrë edhe surprizat e mëdha./Panorama Plus