Menaxheri reagon pas prishjes së bashkëpunimit me Mozzik & Getinjo: Do të përfundoni në Gjykatë nëse…

Lajmi më i zhurmshëm në mediat shqiptare sot ishte ai i largimit të dy reperave të njohur, Mozzik dhe Getinjo nga kompania “On Records”,i menaxhuar nga Mehmet Elshani. Lajmi u bë i ditur fillimisht nga Getinjo, ndërkohë që menjëherë ka ardhur edhe reagimi i Elshanit, i cili ka treguar se largimi ka ardhur për faj të dy vëllezërve dhe ka qenë i njëanshëm. Pas deklaratës së Metit, Mozzik shkroi një status të gjatë, ku sqaronte arsyet që çuan në largimin nga labeli. Sipas Mozzik-it, label-i kishte nënvlerësuar dhe përfituar nga puna e dy reperave dhe për këtë është ndërmarrë vendimi për largim nga ky label. Menaxheri i “On Records” i ka sulmuar sërish dy reperat me një status në Facebook, ku shkruan mbi të gjitha se kushdo që luan muzikën e dy reperave do të përballet në Gjykatë me kompaninë, sepse On Records ka të gjitha të drejtat e krijimtarisë së Mozzik dhe Getinjos. “Gjersa talentin e keni të lindur, pse erdhët te ne dhe nënshkruat një kontratë, të cilën e keni lexuar dhe e keni nënshkruar me vullnet të lirë. Pasi fituat emër në kurriz të punës sonë, nuk po përmbaheni dot?”, shkruan Meti. “Pse nuk u bëtë talenta, po erdhët te ne duke na u lutur te dera me dhjetra herë?” “Njoftojmë opinionin e gjerë se ligjërisht ata nuk janë larguar nga On Records pasi kanë një kontratë profesionale me ne dhe mbajmë të drejtat e çdo projekti dhe imazhi të tyre. Lançimi në rrjetet radiotelevizive, clube apo evente të tjera pa lejen tonë do të ndiqen penalisht nga organet e drejtësisë”.