Oriola Marashi: Jam vetëm 21 vjeçe dhe paguhem për çdo foto që postoj, ja si funksionon për ta kthyer Instagramin në biznes

Shtalartë, misterioze dhe shumë vizionare për të ardhmen. Oriola Marashi është modelja që pozon për Endrit Mertirin në setin e ri të fotove në breg të detit, ku shfaqet si sirenë nën fustanet “gold” të Merita Merjas. Sopranoja që tërheq me imazhin zbulon për revistën “Story”, sekretet për të qenë imazh fitimprurës, karrierën si artiste dhe pse dashurinë e ka spostuar në plan të dytë.

Sapo ke realizuar një set fotosh artistike nga Endrit Mertiri, ku bën vërtet përshtypje me linjat prej sirene. Mund të na zbulosh botën shpirtërore që fshihet pas këtyre pozave?
Modelingu është si një shkollë aktrimi, në të cilën duhet të përshtatesh në role të ndryshme. Mua m’u dha ky rol nga Endriti, pra të aktroja si një sirenë dhe të sillja pak fantazi në botën e njerëzve. M’u duk sikur mishërova rolin e një sirene. Bota e kësaj sirene ishte pak torturuese në temperaturat -10 gradë Celcius. Nuk e di si ia dalin sirenat!
Ku u realizuan fotot?
Fotot u realizuan në Vlorë, dhe fabula e tyre ishte, siç e thashë më sipër, të mishëroja rolin e një sirene “gold” nën fustanet e stilistes Merita Merja.
Shohim se nuk buzëqesh asnjëherë në pozat e tua. Mund të të cilësojmë vajza e trishtuar, apo ky është pozicionimi i një modeleje misterioze?
Hahaha… Nuk kam nevojë të qesh në foto, se e qeshur jam gjatë gjithë kohës. Thjesht fotot që postohen janë për punë, unë tashmë paguhem për çdo postim në Instagram. Instagramin e kam punë, dhe kur bëhet fjalë për punë, unë jam shumë serioze.
Pra ti e ke kthyer Instagramin në biznes, si funksionon?
Kompani të ndryshme në Shqipëri apo nga vende të ndryshme të botës më paguajnë për postimet, reklamën e produkteve të tyre.
Shumë pak e dinë që ti studion për soprano në Universitetin e Arteve. Nga cila anë peshon më shumë peshorja jote nga bota e modës, apo ajo e skenave ku intepretohet muzikë klasike?
Po, kam 7 vite që merrem me muzikë, që u përkushtohem notave që nga Liceu Artistik e tani në Universitetin e Arteve. Muzikën dhe modelingun i kam ushtruar që në moshë të vogël, jam rritur bashkë me to dhe i dua shumë, por në qoftë se të do më duhej të zgjidhja, çdo herë do të zgjidhja muzikën.
Si është marrëdhënia jote me mamin, Xhoi Jakaj, aktualisht drejtoreshë e Burgut të Grave 325. Çfarë të ka mësuar më shumë rreth lirisë dhe robërisë së femrës edhe nëse jeton në liri?
Marrëdhëniet e mia me mamanë janë vërtet të shkëlqyera. Kjo në sajë të aftësisë së saj dhe vlerave që ka ajo si nënë. E pavarësisht që jemi nënë e fëmijë, ajo është një katalizator shumë i mirë i marrëdhënies sonë. Mua dhe motrës sime Xhulia, nuk na ka munguar kurrë liria nga të dy prindërit, pasi kanë pasur besim te fëmija që kanë rritur. Ndihem me fat për prindërit dhe familjen që kam.
Të ndjekësh modën a duhet patjetër të shpenzosh shumë para, mund të themi se ti jeton në luks?
Jo, përkundrazi, unë vij nga një familje me ekonomi të mirë, në të cilën s’më ka munguar kurrë asgjë, por gjithmonë na kanë mësuar që të punojmë për të fituar ato çka kërkojmë. Pavarësisht se jam në një moshë të vogël, modelingu më ka mundësuar që të jem e pavaruar dhe të mos u kërkoj prindërve asgjë në shtëpi, madje herë pas herë të kontribuoj dhe unë. Nuk është e vërtetë që nga modelingu nuk fiton, unë po ia dal shumë mirë. Pastaj, kjo është dhe çështje vlerësimi, mendoj që çdo punë paguhet në bazë të vlerësimit, sa më mirë që ta bësh punën aq më shumë do të paguhesh.
Si do e komentoje punën me fotografin Endrit Mertiri, pikat e forta femërore që ai ka parë tek ty dhe t’i evidenton në setet fotografike?
Marrëdhënia ime me Endrin është fantastike, ne kemi një kimi të përbashkët në punë, e cila na mbush të dyve shpirtërisht. Mendoj që kjo është një ndër arsyet e forta pse punët tona pëlqehen, sepse realizohen me dashuri dhe përkushtim. Unë e dua shumë dhe falenderoj Zotin që e solli në jetën time, është një njeri me vlera, parime dhe shumë talent.
Një fotomodele dhe blogere që çudit me shtatlartësinë. A ndihesh e përmbushur nga bukuria jote?
Më besoni, ata që më njohin, shtatlartësia ime është gjëja e fundit që i çudit. Sigurisht që jo, me fjalë të tjera, s’keni parë gjë akoma!
Kush është modelja që gjen të përbashkëta me të dhe modeli me famë botërore që do të doje të pozoje çift me të?
Modelja muzë për mua do të mbetet gjithmonë Naomi Campbell, ajo është një dhe e vetme. Kur m’u dha mundësia të bëja foto me Endrit Mertirin për “Dolce&Gabbana” mendova se aty ishte fundi i gjithçkaje, por jo, kërkoj akoma më shumë nga vetja dhe me ndihmën e Endritit do t’i realizoj.
Muzika që të mbush shpirtin?
Unë do e përshkruaja muzikën si gjënë më të bekuar që më ka falur Zoti, dhe do të përpiqem me mish e me shpirt që t’i realizoj ëndrrat e mia.
Beson tek fati apo zgjuarsia për zgjedhjet e duhura në jetë?
Pak fat dhe shumë zgjuarsi është rruga e sigurt drejt suksesit.
Në dashuri e konsideron veten me fat?
Për momentin nuk dua ta lodh fatin tek dashuria, më mirë të merret me projektet e mia. Më duhet më shumë aty.