Reperi Qota: Më tërheq Elvana Gjata, ja si do i këndoj asaj

“Eja edhe ti” ishte kënga ku reperi që jeton në Firence, Qota bëri bujë me vargun: “Ta kaloj natën me Dafinën edhe Samantën”, dhe fjala është për këngëtaret Dafina Zeqiri dhe Samanta Karavella. Menjëherë erdhi reagimi i Samantës, e cila e mori me të qeshur dhe shumë sportivitet vargun në fjalë, ndërkohë që nuk pamë ndonjë reagim nga Dafina Zeqiri. Por i pyetur nga revista “Story”, reperi që ushtron sportin e boksit në Firence të Italisë dhe sapo ka realizuar klipin “Bisha jem” thotë se në klipin e rradhës do të përmendë Elvana Gjatën.

Cilat janë klipet e fundit që ke realizuar dhe kujt i dedikohen?
Klipet e fundit ua kam dedikuar njerëzve më të dashur në jetën time. “Bisha jem” u publikua pak ditë më parë dhe ia kam dedikuar personit më të shtrenjtë, babait tim.
Shumë klipe brenda një periudhe të shkurtër, pse?
Po, e vërtetë që kam realizuar gjashtë klipe brenda një kohe të shkurtër, sepse kam pasion për muzikën, ndaj përpiqem të sjell gjithë përjetimet e mia në këngë.
Je i vetmi reper nga Shqipëria që i xhiron klipet në Firence. Janë të kushtueshëm?
Po, vërtet që jam i vetmi që realizoj klipe në një qytet si Firence. Kjo për faktin se kam shumë vite që jetoj atje, dhe jam i dashuruar pas atij qyteti të mrekullueshëm. Kushtojnë më shumë se në Shqipëri e sigurt, por se sa konkretisht varet nga klipet.
Pas klipit ku i dedikoje këngë Samanta Karavellës dhe Dafina Zeqirit, cilës këngëtare ia ke vënë syrin?
Më pëlqen jashtë mase Elvana Gjata. Për mua ka shumë ndryshim nga artistet e tjera, ka shumë talent dhe ndryshon si dita me natën me vajzat e tregut muzikor.
Si është të bësh karrierë në Shqipëri ndërkohë që jeton në Itali, dhe çfarë synon në të ardhmen?
Besoj se do të jetë shumë e bukur, edhe pse unë jam ende në hapat e para të karrierës. Çdo këngëtar ka dëshirë të ngjitet sa më lart, por këtë ende s’e di.