Shënojeni këtë datë, Mentor Haziri koncert recital në Tiranë!

 

Këngëtari i njohur i muzikës pop e rock, Mentor Haziri është një nga zërat mjaft të pëlqyer nga publiku shqiptar. Ai tashmë ka konfirmuar se do të rikthehet sërish në “Kënga Magjike” me një këngë speciale, pas një pjesëmarrjeje të suksesshme vitin e kaluar. Por ky nuk do të jetë projekti i tij i vetëm, pasi Haziri po planifikon të mbajë edhe një koncert solo, si një jubile të gjithë viteve të karrierës së tij si artist. Këngëtari ka publikuar në rrjetet sociale promon e këtij koncerti, që do të mbahet më datë 28 tetor, në Qendrën e Kulturës, Katedralen Ortodokse në Tiranë. “Shtigje Tingujsh” titullohet ky koncert recital, në të cilin këngëtari Haziri do të interpretojë “live” të gjitha këngët e suksesshme ndër vite. Mentori ka prezantuar superbandën që e shoqëron në këtë mbrëmje speciale të muzikës live, gjithashtu ka theksuar se do të sjellë të gjithë hit-et e tij ndër vite si; “Engjëll”, “Kujtoje” dhe “Plagë në zemër”. Sipas mediave të Kosovës, në këtë koncert recital nuk do të mungojnë edhe shumë prej figurave publike të vendit./Story.al