Sonte finalja e “Kënga Magjike”, fiton Flori Mumajesi apo Fifi?

Festivali i 20-të “Kënga Magjike” mban sot natën finale, ku showman-i Ardit Gjebrea dhe partneret e tij, Klaudia Pepa dhe Bora Zemani në fund të mbrëmjes do të shpallin fituesin e edicionit sipas votave që ata i kanë dhënë njëri-tjetrit. Para prezantimit të finalistëve sot në mbrëmje, mes artistëve kanë filluar të përflitet pretendentët për të fituar kupën pasi kanë kënduar “live” në netët gjysmëfinale në Pallatin e Kongreseve. Këngëtarë të njohur por edhe të rinj janë ngjitur në skenën e “E diela Shqiptare” që në fillim të këtij sezoni televiziv dhe kanë prezantuar këngët që do të garojnë për çmimin e madh. Ndërkohë që publiku e ka dhënë vlerësimin e tij duke klikuar në Youtube këngët më të pëlqyera deri tani, ndërkohë që pritet se kush do të jetë këngëtari që do të ngrejë sot kupën e këtij përvjetori të 20-të të festivalit “Kënga Magjike”. Edhe pse disa favorizohen nga fakti që janë publikuar më herët se të tjerat, në fakt duket se fituesit gjenden mes dy këngëve të prezantuara në fund të garës, pikërisht: Flori Mumajesit me këngën “Plas” dhe Fifit& Mc Kreshës me këngën “Psikopatja jote”. Lind pyetja pse këtë festival mund ta fitojë Flori Mumajesi, i cili në këtë garë interpreton plot ndjenjë krijimin e tij, sipas fabulës që flet për dashurinë që po i plas zemrën. Si një kantautor profesionist dhe që i ka dhënë shumë hit-te kësaj gare, Flori na befasoi kësaj here dhe me interpretimin e tij “live”, ku duket se interpretoi mjaft mirë dhe korrekt nga fillimi në fund këngën. I veshur thjesht dhe me një qëndrim statik para stativit të mikrofonit, ai dukej i çliruar nga eksibixionizmi skenik për t’iu përshtatur sa më mirë një balade shpirti, siç ai u shpreh para dhe pas debutimit. “Plas” quhet kënga me të cilën Flori Mumajesi është prezantuar këtë vit në festivalin “Kënga Magjike”, dhe që u përfol si një dedikim për Elvana Gjatën. Këngëtari e ripostoi këngën e tij dhe për të shkruar disa fjalë në lidhje me dashurinë dhe dedikimin e shumëpërfolur, pasi e kishte mohuar deri diku diçka të tillë në prani të Ardit Gjebresë duke thënë se kishte dashuruar vetëm një herë në jetë, por kjo dashuri s’kishte të bënte me vajzat e showbizz-it. “Kjo këngë nuk është vetëm kënga ime… Është e të gjithë atyre që kanë dashuruar dhe dashurojnë vërtet. Dashuria i jep kuptim jetës”, shkruante artisti në Instagram. E përveç punës me zërin, ai duke se ka ka punuar dhe me linjat pasi është shprehur se është një dietë për të pasur linjat në formë. E përveç përkushtimit të tij prej muajsh për të qenë në formë perfekte për këtë garë, Flori Mumajesi mund të fitojë këtë garë edhe për faktin se ka votat e kolegëve, shumë prej këngëve të të cilëve ai është autor. Nga ata tjetër Fifi dhe Mc Kresha” me “Psikopatja jote”, që arritën të merrnin 1 milion klikime në Youtube vetëm në ditët e para pas publikimit të këngës u komentuan që në fillim si pretendentët për fitore. Por gjatë performancës “live” Fifi nuk i përmbushi pritshmëritë e fansave, dule qenë se pati monte stonimi që nuk dihet nëse erdhi për shkak të emocioneve apo probleme me zërin. Kujtojmë që edhe Fifi ka shumë aleatë në këtë garë, pasi është autore e disa prej këngëve të pëlqyera të kësaj gare. Ndërkohë sa i takon pëlqimit nga publiku duket se ato më të preferuarat referuar klikueshmërisë në Youtube janë disa këngë dhe emra të njohur. Në krye të listës qëndronte Stresi me “Të du mom” me 2.6 milion klikime, i cili nuk arriti dot të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve pasi ndodhet në burg, pas arrestimit disa javë më parë. Kjo këngë pasohet nga Ardit Çuni dhe Daniela Toçi me “Qaj”, me 1.98 milionë klikime. Klikimet rendisin Kanitën me “S’jemi ne” me 1.8 milion, Ronela Hajati me “Vuj” dhe 1.3 milion klikime, dhe Fifi ft Mc Kresha” me “Psikopatja jote”, me 1 milion klikime. Në skenë e finales do të ngjitet dhe këngëtari i “Neë Artist” që ka zgjedhur juria e përbërë nga; Armend Rexhepagiqi, Arben Skënderi, Manjola Nallbani, Orgesa Zaimi dhe Orinda Huta. Si çdo vit tjetër, fituesin e përcaktojnë vetë artistët me votat e tyre, të cilat bëhen krejtësisht të ditura sot në natën finale të festivalit./Panorama Plus