Grida Duma: Pse e braktisa ëndrrën amerikane?

Ajo ka lënë ëndrrën amerikane për dashurinë. Dhe sigurisht që ja ka vlejtur! Dëshmi është lidhja me bashkëshortin Ilirin, ish-pedagodun e saj, me të cilin ka sjellë në jetë frutin e dashurisë, djalin 7-vjeçar, Darienin. Jeta e saj si akademike e mandej si pjesë e politikës, ku strehëza e shtëpisë ishte paqja më e madhe, si për gjithë njerëzit duket se kompletojnë një portret familjeje të përkryer. Për zëvendësministren e Integrimit Grida Duma, e cila ka bërë për vete me ëmbëlsinë e saj këdo, - pavarësisht ngjyrave politike, - në këtë pamje duket se çdo gjë ka shkuar si jo më mirë për të. Por, edhe Grida i ka ca brenga, të cilat teksa i kujton, i përlotin edhe sytë e gjelbërta… janë prindërit, dhe dy motrat e saj, Gledis dhe Geris me të cilat ka plot 17 vite largësi. Ato jetuan jetën amerikane, që aq shumë e kishte dëshiruar Grida, por që e pa veç si vizitore në familjen e saj, në ato ditë të përvitshme, që përzihen me mallin dhe pamundësinë për të kaluar më shumë kohë së bashku. Veçanërisht me motrën e vogël, e cila iku larg saj (nga Shqipëria) kur ishte në klasë të parë… Marrëdhënia me familjen e saj janë edhe në fokusin e kësaj bisede të këndshme me Gridën, e cila ka mjaft për të thënë…! Shijojeni!

Nga Ilda Lumani

Grida, për të gjithë ata që nuk ju njohin shume ju jeni fëmija i madh i një familjeje ku dominancë janë vajzat. Si është të rritesh mes vajzash?

Marrëdhënien me motrat e mia pa hezitim mund ta quaj më të rëndësishmen në jetën time, ndonëse, sapo e them këtë mendoj për tim bir e më duket sikur jam disi e padrejtë, e ndoshta kjo balancë do të ndryshojë kur Darieni të jetë më i madh dhe gjërat do të marrin peshë tjetër mes meje dhe tij. Po, unë jam e madhja, Ledi apo gjatë Gledis është e dyta dhe Geris erdhi në jetë 15 vite pas meje. Mendoj që çdo fëmijë i parë thuajse në të gjitha familjet shqiptare merr një peshë më të madhe ndaj të gjitha marrëdhënieve në familje jo vetëm ndaj më të vegjëlve. Duke qenë se prindërit e mi si shumica e shqiptarëve ishin prindër të rinj, shpesh kur shikoj prapa në historinë tonë mendoj që ata kanë mësuar plot gjëra për veten, ndërsa unë rritesha.

Të jesh fëmija i madh do të thotë të kesh edhe autoritet mbi të voglat. Si kanë qenë raportet tuaja në fëmijëri e adoleshencë me motrat?

Është e vërtetë që kam pasur autoritet ndaj motrave, e ndoshta kjo në rastin tonë shfaqej edhe më shumë për shkak se jetonim në një shtëpi “private” siç quhej atehërë, e cila për ata që kanë jetuar në të tilla e dinë se sa e lodhshme është të mirëmbahet; ka gjithmonë një punë për të bërë, e për këtë kishte më shumë arsye për të “urdhëruar”. Fëmijëria jonë më duket pas si përrallë. Në ato kohëra në vitet ‘80 ndonëse ishin vitet më të varfëra të asaj periudhe sërish dukej sikur kishim krijuar botën tonë në atë shtëpi shumë të këndshme që na përfshinte të gjithëve në rregullime dhe punë fizike që gjithmonë shpikeshin nga im atë. Kur e shoh tani atë shtëpi nuk arrij as vetë ta imagjinoj se si në atë oborr që sot duket i vogël dhe në ato sipërfaqe që sot janë mëse normale mund të hidhej aq mund dhe aq energji për të jetuar me një cilësi të ndryshme. Mbaj mend që Ledi e ka treguar personalitetin e vet shumë herët në fëmijëri, ka ditur gjithmonë të kërkojë atë që do dhe të na imponohej në mënyrat më të ndryshme për të realizuar atë që i pëlqente. Është personalitet shkelqyes, diellor dhe ka pasur gjithmonë aftësinë të tejkalojë situata nëse ato bëheshin pengesë. Ledi ka ditur gjithmonë t’i thotë gjërat drejtpërdrejtë here herë pa pikën e keqardhjes për të tjerët, ndonëse ka një botë të mrekullueshme kur vjen çasti për të t’u gjendur. Jemi zënë pa fund, na ndodh ta bëjmë dhe tani shumë më rrallë, por gjithmonë sepse me të ka vetëm një mënyrë për t’i përballuar gjërat; më shumë pasion dhe shumë troç, e kjo sigurisht nuk është gjthmonë komode. Kur mendoj për vitet e para të vështira që ajo kaloi kur të gjithë shkuan në USA, nuk ka moment që nuk përlotem, dhe më vjen pa fund t’i them ‘faleminderit që ajo ishte me ata dhe bëri edhe atë çka nuk munda të bëja unë ndërsa qëndrova në Shqipëri.

Po motra e vogël?

Geri nga ana tjetër, është malli im i përhershëm! Diferenca e madhe mes meje e saj e ka bërë marrëdhënien tonë nga më uniket. Sigurisht jo vetëm për shkak të moshës, por sepse me Gerin nuk pata mundësi të jetoj vitet e rëndësishme të saj dhe iku nga Shqipëria gjashtë vjece e madje nuk arriti që të mbaronte klasen e parë aq sa të shkruante gjuhën shqipe si duhej, gjë të cilën sigurisht e bëri vetë në mënyrë autodidakte. Geri ishte gjëja më e mrekullueshme e jetës sidomos kur mendoj kohët e zymta të viteve ’90, traumat që pësuam të gjithë nga lëvizjet dhe ankthet e kohëve, ajo më falte ndjesinë më engjëllore të mundshme, me lëvizjet e veta të ngadalta dhe me një ritëm që kurrë askush nuk mundi t’ia përshpejtojë. Geri merr kohën e vet për çdo gjë dhe e bën çdo gjë në mënyrën e vet të shijuar dhe të menduar. Nëse unë e Ledi kemi pasur ulje ngritjet tona, përplasjet me shoqerinë, me prindërit në adoleshencë, nuk mbaj mend kurrë që Geri të ketë pasur nevojë për ne për të përballuar gjërat e veta. Jo vetëm kaq, por ishte në gjendje të na falte në qetësi, mua në distancë e Ledit aty. Geri padyshim është një individ i bukur i bërë i tillë që në fëmijëri. Ndërsa, filloi klasën e parë në Detroit të Chicagos, megjithëse tmerrësisht e vogël arriti të kuptonte që shqetësimet e saj ishin të vogla përballë vështirësive të familjes atje, dhe këtë aftësi, për të mos i dhënë zë problemeve të vetes përballë të të tjerëve që ajo i do, e ruajti dhe e ka edhe sot.

Nuk ka shumë vend për autoritet me to, sepse sot ato jetojnë në një botë si ajo amerikane, e cila shpesh më bën t’i shoh si film për asgjë tjetër veç forcës dhe lirisë që të fal ajo hapësirë, ku konkurrenca dhe përplasja nuk mungon, por edhe arritja është e garantuar kur nuk dorëzohesh.

Ndryshon marrëdhënia juaj me secilën motër? Me kë ke më shumë afrimitet? Kush është pika e dobët?

Ka qene një kohë kur Gerin nuk kam dashur ta përfshij në biseda serioze sepse me gjithë vështirësitë e nisjes së një jete tjetër në Shtetet e Bashkuara, ndjeja që duhet ta kurseja nga sa më shumë mendime me përgjegjësi. Për rrjedhojë kam folur me Ledin sigurisht e shumë edhe sepse ndajmë histori jete bashkë dhe shpesh do të thoja ajo është “shtëpia” për mua, kurse Geri është “shpirti”. Mendoj që të dyja kemi debulesë Gerin, pa dyshim, unë iluzionohem që e kam më shumë, por Ledi ka shumë më tepër mundësi të marrë pjesë në jetën e saj dhe këtë e vuaj shumë. Në fakt koha pa to, 17 vite largësi, pavarësisht nëse shkoj një herë në vit e qëndroj mjaftueshëm, është një sacrificë, që kurrë nuk e kam justifikuar dot. 

Po me prindërit, çfarë marrëdhëniesh keni? Si fëmijë e parë keni qenë e përkëdhelura e babait?

Nuk mendoj të kem qenë e përkedheluara e asnjerit. Në aq sa mbaj mend larg në fëmijëri, njeriu që më ka përkedhelur ka qenë gjyshi im, i cili ishte një personalitet burrëror i spikatur dhe i ëmbël dhe i ngrohte u bë veçanërisht me mua. Kam qenë 13 vjeç kur ai vdiq dhe në momentet e para të ikjes së tij mendova që më la tërësisht vetëm. E shihja si njeriun që më ngrohte, përkëdhelte e siguronte. Ishte njeriu që e ndërtoi marrëdhënien me leximin marrëdhënien me veten dhe sa më shumë e kujtoj aq më shumë e kuptoj që sot kam sjellje të tij në marrëdhënie me njerëzit.

Po si do ta cilësoje dhe tregoje në këtë bisedë marrëdhënien me prindërit?

Marrëdhënia me prindërit është nga më uniket nëse e krahasoj me atë që dëgjoj zakonisht. Ata të dy janë njerëzit më me jetë që kam “prekur”. Marrëdhënia mes vetë atyre ka qenë gjithnjë e ndezur dhe kishte shkaqe, ishin të dy shumë ambicioze, shumë simpatikë dhe u lidhën pazgjidhshëm shumë herët e gjithshça ishte vullkanore mes tyre, aq sa ndonjëherë dukej sikur ajo çka ndodhte në jetët tona të vogla nuk shihej fare për shkak të mënyrës se si ata ndërtonin jetën mes tyre. Im atë është individi që mund të perfeksionojë çdo ambient ku jeton duke ndërtuar çdo gjë vetë. Në shtëpi një pjesë e madhe e hapësirës në oborr apo në bodrume ishte vend i tij i punes ku ai mund të krijonte çdo gjë. Gjithmonë kam besuar që me të kalohej çdo vështirësi dhe madje me sportivitet, një njeri që punon për të shijuar dhe shijon në të jetuar. Im atë është njeriu që pa asnjë metodë të kuptueshme na vaksinoi me një dimension lirie dhe optimizmi, mendoj ishte ai që na ka treguar që çdo gjë bëhet nga fillimi gjithmonë. Mendoj që ka qenë një amerikan në shpirt, dua të them fakti që nuk përballon asgjë me tragjizëm dhe nuk e errëson asnjë rrethanë dhe që çdo gjë e ka tejkaluar pa komente.

Po nëna? Sa ke marrë nga ajo?

Ime më?! Ohhh nuk di ç’mund të them më parë për të. Është individi më kompleks, më shumëngjyresh dhe më surprizues i mundshëm. Artiste në shpirt dhe profesion, me një pamje prej artisteje dhe një sjellje e tillë në çdo sekuencë edhe kur palos një batanije apo kur mbërthen pardesynë, madje edhe kur e zë gjumi ajo e di në ç’pozicion po fle. Mendoj që në term objektiv është njeriu që ka influencuar në edukimin tim më shumë se kushdo. Nëse im atë ka ditur të na japë një dimension praktik me jetën, ime më nuk u dorëzua kurrë së na dhëni sa më shumë dimensione, studiuam violine, pak piano… Na kultivoi me muzikën e duhur dhe sigurisht herë-herë na ka terrorizuar me kërkesat perfeksioniste dhe me mostolerencën ndaj gabimit. Por, besoj e gjitha nuk do të ishte e mundur për ne, nëse ajo nuk do ta kishte bërë edhe këtë rol.   

Sa ke mësuar nga prindërit dhe sa ke reflektuar në marrëdhënien tuaj me djalin?

Besoj që reflektoj gjithçka që ata më kanë dhënë. Por nga gjërat që nuk harroj është kur ime më më thote shpesh: thuaji Darienit vetëm të vërteta, edhe kur mendon që ai nuk të kupton thuaja ashtu si janë sepse do t’i kuptojë një ditë dhe marrëdhënia juaj do të jetë e përjetshme. Tani e bëj këtë, dhe është shumë lehtësuese. Në fillim mund të mendoja që disa gjëra thuhen më vonë se fëmijët nuk i kuptojnë, por jo është plotësisht ashtu, fëmijët kuptojnë në një mënyrë intuitive dhe kjo vendos harmoni në marrëdhënie.

Prindërit tuaj nuk vijnë shpesh në Shqipëri, si e shohin ata faktin që jeni sot pjesë e politikës?

Ime më e ka ditur gjithmonë që unë kam një prerje publike, që nuk jam një individ i prapaskenës. Në fillesa ata ishin shumë komode me një imazh timin që vinte nga bota e akademisë dhe në atë format sigurisht ishin shumë të kënaqur. Përfshirja graduale në një botë tjetër edhe i ka shqetësuar aq më tepër në fillesa kur media të caktuara vetëm për të bërë shoë ishin agresivë. Megjithatë janë shumë mbështetës.

Çfarë këshillash ju japin sot?

Në fakt marrëdhënia ime me ta është e ndryshme nga klasikja, herë-herë konkurrojmë në ide herë-herë përplasemi, nuk kemi hierarki por shumë respekt për disa dimensione që nuk preken. Më shumë se të më këshillojnë përpiqen të më thonë opinionet e tyre duke më pyetur e aty lind diskutimi. Kjo është mënyra e tyre e të më dhënit një opinion.

Veshja është një pikë e dobët e femrave. Jeni natyrë që kujdeseni në këtë pikë? Cilat janë emrat e preferuara të veshjeve? Ku bëni pazar? Cila është veshja më e shtrenjtë që keni? Ose cili ka qenë shpenzimi më i madh që keni bërë?

Mendoj që kujdesem mjaftueshëm për veten, ndonëse pas ardhjes së Darienit në jetë, e shoh që mund të ndaloj t’i blej atij një gjë disa herë më të shtrenjtë se vetes. Ose së paku nëse është për Darienin nuk mendohem, për veten po.

Po të thoja që kam emra të preferuar do të isha thjesht korrekte me ju, në fakt çdo sfilatë mode e emrave të mëdhenj që shoh, më pëlqen. Stili jo simetrik i xhaketave me një pjesë më të gjatë se tjetrën, apo kombinimi i ngjyrave që nuk kanë harmoni, por i lidh një aksesor tjetër si këpucët apo çanta janë pjesë e stilit që tregon mendim në veshje jo vetëm estetike. Këto i pëlqej veçanërisht por sigurisht do kohë të bësh një garderobë të tillë sepse kombinimet e tilla janë të vështira. Për rrjedhoj unë përfundoj gjithmonë tek gjërat mëse klasike. 

Përsa ju përket blerjeve, kam fatin që ndërsa shkoj së paku një herë në vit në New York te prindërit, të mund të bëj pazare atje dhe madje në mjaft periudha të përfitoj nga uljet e vërteta të tregut amerikan. Kështu ka gjëra që kanë kushtuar 5-fishi i asaj që i blej dhe i kënaqem shumë këtij shanci. Nuk më pëlqen të them shifra për veshjet, mbi të gjitha sepse gjithmonë e me shume bindem që kush e ka të brendshme estetikën arrin të shfaqet e vishet një mrekulli pavarësisht nga sa ka harxhuar për të. Ashtu si edhe e kundërta është e vërtetë, mund të harxhosh shumë dhe nëse nuk e ke në shpirt të bukurën çmimi funksionon pak.

Share

 

 

Ju duhet të Abonoheni për të lexuar artikullin e plotë !

Si ju duket website i ri i revistës Story

Mire - 96%
Keq - 4%

Numri total i votuesve: 124

Fotoja e ditës

Modelja shqiptare Angela Martini, e cila është ...