Zamira Kita e thotë për herë të parë: “Pas lindjes së vajzës për pak u çmenda”

Një nga aktoret e njohura të Korçës, Zamira Kita, dje pasdite ishte e ftuar në “Rudina” së bashku me të bijën, Enirën.
Për herë të parë në një ekran, Zamira ka rrëfyer edhe një prej periudhave më të vështira të jetës së saj , atë pas lindjes së Enirës, gjatë së cilës ajo përjetoi një depresion të rëndë. “Pas lindjes së vajzës, nuk kam qenë shumë e ngarkuar, sepse isha tërhequr nga teatri. Nuk e kam thënë ndonjëherë, por pas lindjes, unë kam kaluar një depresion shumë të rëndë, ka qenë shumë i vështirë për mua, gati 40 ditë. Ka qenë shqetësim shumë i madh, për mua dhe për familjen e Benit, për ne të dy. Na u duk një periudhë pa zgjidhje, më dukej sikur do të çmendesha përfundimisht, sikur s’do ta rrisja dot vajzën, ose do të vdisja. Ishte depresion. Kam shkuar në shumë mjekë, por fatmirësisht, Zoti më dha Enirën të urtë, sepse nuk di si do të kisha reaguar. Që në atë periudhë filloi tërheqja nga teatri, u mbylla në vetvete. Pas 40 ditësh më kaloi depresioni dhe aty kuptova që kisha sjellë në jetë një fëmijë që e kisha aq shumë të dëshiruar. Pastaj fillova të nxjerr gjërat që i kisha përgatitur Enirës, kuvertat, bluzat dhe fillova ta vesh bukur. Më pas, nuk i jam ndarë asnjë çast Enirës, madje madje ne flemë bashkë, sepse edhe Enira është shumë e lidhur me mua”, tregoi aktorja.